Një karakter “sui generis”, një simbol i dashurisë së vërtetë për futbollin, pasionant deri në limite, Baldo Raineri i prezantohet edhe publikut italian, prej nga ka dhe rrënjët…

Nga Roberto Bordi
Vend i çuditshëm, Shqipëria. Viktimë e paragjykimeve të panumërta, që në sytë e mesatares konsiderohej vetëm si një vend nga vinin emigrantë. Trashëgimia e së kaluarës, e asaj periudhe që mori fund në fillim të viteve nëntëdhjetë, pa dhjetëra-mijëra shqiptarë të përballen me valët e detit Adriatik për të arritur në brigjet e Pulias. E bënë këtë që të jetojnë në lëkurën e tyre ëndrrën italiane, të cilën e kishin admiruar deri atëherë vetëm nëpërmjet ekraneve televizive të vegjël, bardhë e zi, kur me mënyra “pirate” mund të kapnin valët e Rai-t.
Ndërmjet viteve 1997 dhe 1999 ishte vala më masive e emigrimit. Një barkë e vogël indiane me gjashtëmbëdhjetë shqiptarë në të u mbyt. Lotë krokodili nga Berluskoni, në njërën anë, dhe indinjata e një vendi që nuk mund të harrojë marrëdhënien e veçantë historike që ka pasur me Shqipërinë. Protektorat italian gjatë Luftës së Parë Botërore, ushtarakisht e pushtuar nga ushtria mbretërore midis viteve 1939 dhe 1943.
Por pastaj diçka ndryshoi. Shqipëria nuk është më mes vendeve të fundit postkomuniste perëndimore. Vendi ka bërë një tranzicion të fuqishëm, por të suksesshëm në ekonominë e tregut, duke e hequr perden e hekurt të izolimit kronik të dekadave. Kjo hapje ndaj botës përfshiu edhe futbollin e këtij vendi që laget nga dy dete, ai Adriatik dhe Jon. Shumë shpejt pamë të kalojnë në Itali disa nga lojtarët më të vlefshëm shqiptar.
Myrtaj, Bogdani, Tare…
Çdo tifoz italian e mban mend mirë Myrtajn, që kur festonte golat bënte simbolin e varkës në lundrim, mjet me të cilin kishte mbërritur edhe vetë si klandestin në Apenine; apo Taren dhe Bogdanin, që mbahen mend si shënues të rreptë në vendin tonë. Rastësisht, të tre qendërsulmues, në gjendje të gjenin hapësirën më të vogël në mbrojtjet kundërshtare dhe të shënonin rregullisht.
Shqipëria, një vend me varfëri të sjellshme, por edhe komb i heronjve që kanë bërë histori. Mbi të gjitha, Gjergj Kastriot Skënderbeu, heroi kombëtar, i cili gjatë shekullit të pesëmbëdhjetë zmbrapsi pushtimin e Perandorisë Osmane, duke u bërë “bisha e zezë” e Sulltan Muratit II dhe arriti ta ruajë deri në vdekjen e tij pavarësinë e vendit.
Një hero si Skënderbeu konsiderohet nga populli shqiptar si “atlet i Krishtit”, ndaj i është dedikuar emërtimi i sheshit kryesor të Tiranës, kryeqytetit politik të vendit. Kryeqendra e veriut të Shqipërisë është Shkodra, e konsideruar si “Venecia e Ballkanit”, ku thuhet se u luajt për herë të parë futboll në këtë vend. Skuadra e këtij qyteti është Vllaznia, në stolin e së cilës këtë sezon është ulur një italian nga Trapani, por që jeton prej tridhjetë vjetësh në Zvicër: Fjala është për Baldassare “Baldo” Raineri, 52-vjeç, që punon si një trajner futbolli.
Një karakter “sui generis”
Emri i tij nuk është i njohur në mesin e tifozëve italianë, për shkak të një karriere që u zhvillua tërësisht në Ticino, duke filluar nga kategoritë më të ulëta deri në “pro”. Vetë kishte qenë një lojtar amator, por i fortë dhe luftarak, ndërsa fitoi në vitin 2003, pas dekadash pasion dhe sakrificë, stolin e Bellinzona. Një skuadër ku disa kohë më vonë do të vinte një teknik, i cili nuk ka nevojë për “hyrje”: Vladimir Petkoviç, në periudhën 2008-2011. Përfundimisht, pas një periudhe trajnimi në Zvicër, Raineri kaloi kufijtë dhe mbërriti në Shqipëri. Më saktësisht në Shkodër, në krye të një prej skuadrave më me traditë në këtë vend, sikurse është Vllaznia.
Në Shqipëri i provoi të dyja rezultatet, negative dhe pozitive në seri, por në përmbyllje të gjysmës së kampionatit, ekipi që drejton ka siguruar një pozicion të qetë në klasifikim, në përputhje me objektivat e vendosura nga klubi në fillim të sezonit. Po të shohësh disa pamje filmike të ndeshjeve të fundvitit që kaloi, Raineri duket i shenjtëruar si karakter i javës. Një video tjetër tregon se si trajneri italian shfryn gjithë gëzimin e tij, që bën efekte të jashtëzakonshme komike, tashmë duke fluturuar si aeroplan, ngjashëm me kohën e tij te Bellinzona. Pas çdo triumfi të paharrueshëm, si ai kundër Partizanit në kryeqytet, mes pesë fitoreve radhazi, vjen një performancë e tij e shkëlqyer. Shprehje e një lëvizjeje spontane të entuziazmit që buron nga rrjeta e minutës së 90-të, kur shënoi Sebastian Sosa, i cili i dha një fitore të rëndësishme Vllaznisë kundër Laçit.
Raineri është para së gjithash një teknik profesionist, i cili pas dy vitesh ndalesë të detyruar nga futbolli, që e bëri atë të vuajë, vendosi të ndjekë sipërmarrësin ambicioz (dhe ish-koordinatorin teknik të Luganos) Roberto Nava në një aventurë unike.
Një karakter “sui generis”, një simbol i dashurisë së vërtetë për futbollin, pasionant deri në limite, Baldo Raineri i prezantohet edhe publikut italian, prej nga ka dhe rrënjët.
“Në Shqipëri ka njerëzillëk dhe respekt. Unë synoj të mos kem probleme as me tifozët e ekipeve rivale. Gjatë lojës ndonjëherë edhe e teproj nga emocionet dhe tensioni, por nuk bëhet fjalë për mosrespektim të kundërshtarëve. Në fund të ndeshjeve ka gjithmonë shtrëngime duarsh dhe urime. Një korrektësi me të vërtetë shembullore. Ne duhet të marrim shembull nga kjo.”
Me këto fjalë të bukura, Baldo Raineri u jep një goditje paragjykimeve dhe stereotipeve që ende kanë një shtrirje të gjerë, diçka tipike për ata italianë që e shohin vendin e tyre si qendrën e botës, duke theksuar superioritetin kulturor dhe moral (?).
Një lloj “hyjnie” në Shkodër
Traineri i Vllaznisë përshkruan një portret të sinqertë të vendit ku ka shkuar të ushtrojë profesionin e vet, duke gjetur fjalët e duhura të një ure bashkëpunimi mes dy kulturave, jo vetëm të futbollit, të cilat nuk janë aq të ndryshme. Në të vërtetë, një ndryshim themelor është definitivisht atje; në vendin e vogël ballkanik, ku ekziston një praktikë e futbollit të vërtetë dhe të lirë nga kontaminimet dhe implikimet ekonomike. Raineri në Shkodër është një lloj “hyjnie”. Respekti, miqësia dhe admirimi i sinqertë që qytetarët e Shkodrës kanë për të janë demonstrimi më i qartë i konceptit tradicional që ky trajner emigrant ka për futbollin. Një botë magjike, ku të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre, duke respektuar kundërshtarët dhe gjithmonë duke u përpjekur për të fituar në mënyrë bindëse, pa ngutjen e vrullshme për rezultate, që përfundon në përmbajtjen varfëruese teknike të kësaj loje magjike.
Historia e Baldo Rainerit është ajo e një emigranti të dytë në Shqipëri. Një sicilian i transplantuar në Zvicër, i cili në emër të futbollit përqafoi një vend të vogël ballkanik, duke integruar në mënyrë të përkryer edhe pikëpamjet kulturore, veç e veç. Të paktën në letër, që nga Castelvetrano, para se të nisej për në Shkodër, në korrik të këtij viti, ai nuk i druhej kësaj eksperience të re, për të cilën është i lumtur edhe sot e kësaj dite: “Asnjë dilemë nuk kishte për mua që të trajnoja në Shqipëri. Në futboll, fundi është i barabartë në të gjitha anët: ju vetëm duhet të dini si të përshtateni”.
Një mësim i jetës që çdo njeri duhet të bëjë në emër të profesionit, për ta vendosur veten kudo në botë, pa paragjykime steriotipe. I strukur larg nga klishetë, në një qytet të veçantë si Shkodra, në Venedikun e Shqipërisë, Baldo Raineri ka gjetur një pritje të ngrohtë. Dhe një respekt që vetëm një “profesor” i mirë, siç e quajnë atë me dashuri tifozët e Vllaznisë, meriton të ketë nga “nxënësit” e tij.

INTERVISTA

“Profesori” që eksportoi në Shqipëri 4-3-3 e Zemanit

Mister, kjo është hera e parë që flisni për publikun italian. Na tregoni pak për veten?
Unë kam lindur në 1962 në Castelvetrano, Provinca e Trapanit. 25 vjet më parë u zhvendosa në Zvicër, në Bellinzona, ku kam takuar vajzën, që do të bëhej gruaja ime dhe që më dha pesë fëmijë të bukur.
Kur lindi te ju pasioni për futbollin?
Ashtu si të gjithë djemtë e tjerë, fillova duke luajtur me një top në shtëpinë time, në Sicili. I ri kam luajtur si mbrojtës qendror në Castelvetrano, ekipin e qytetit tim. Ky ishte momenti që ndryshoi jetën time dhe më lidhi me futbollin. Në shtator 1988 kam emigruar në Zvicër.
Në Bellinzona filluat edhe karrierën si trajner…
Para se të vendosesha në frontin e kësaj pune, duhej menduar për familjen. Pas arritjes së sigurisë ekonomike, jam kthyer në futboll më 1993 si teknik i Codeborgo, ku kam qëndruar dy vjet. Pastaj, një sezon kam drejtuar Gorduno dhe dy të tjerë Giornico, ku kam fituar promovimin tim të parë në Seria D.
Ky ishte momenti që shënoi ngjitjen tuaj në futbollin zviceran?
Në njëfarë mënyre, po. Menjëherë pasi fituam kampionatin me Giornico, unë u punësova nga Malvaglia dhe vitin e ardhshëm nga Stabio, në Seria C1. Kam qenë atje për dy vjet, para se t’i ndaja katër stinët midis Biasca dhe Bodio, ku kam fituar dy promovime nga C2 deri C1. Një trampolinë e mirë para se të përfundoja më 2003 në Bellinzona, në “Challenge League”.
Kjo ishte përvoja më e rëndësishme e karrierës së tij. Të paktën deri në kalimin te Vllaznia...
Po, kam kaluar dy vite të rëndësishme në Bellinzona. Pastaj drejtova tri ekipe të tjera të Ticino, Sementina, Mendrisio dhe Biasca, para një ndalese të detyruar për disa vjet. Pastaj, qershorin e vitit të kaluar, presidenti i Vllaznisë, Roberto Nava, i cili tashmë e dinte reputacionin tim, më ofroi detyrën e drejtimit të ekipit të parë. Sigurisht, kam pranuar pa hezitim.
Tashmë mund të bëjmë një vlerësim fillestar të kësaj përvoje…
Në Shkodër jam shumë mirë. Njerëzit janë të mrekullueshëm, populli shqiptar ka dinjitet të madh. Kur luajmë në shtëpi, në ndeshje të rëndësishme, gati 10.000 njerëz vijnë e na shohin në stadium. Tifozët e Vllaznisë kanë për ekipin e tyre një pasion të jashtëzakonshëm. Çdo lojë është një shfaqje e pabesueshme e ngjyrave të tyre.
Shkodra është e njohur si “Venecia e Shqipërisë”. A është vërtet kaq e bukur?
Po, e mrekullueshme. 120 000 banorë i japin jetë një qyteti të bukur, ku secili shkon me biçikletë. Por ajo që më goditi mua është krenaria e madhe e këtij populli. Njerëz të thjeshtë dhe bujarë, që kur më shohin në rrugë më përshëndesin dhe buzëqeshin ngrohtë, duke më dhënë dorën e duke më quajtur “profesor”.
Si “profesor”?
Po, ju duhet të dini se në Shqipëri trajneri nuk është quajtur me pseudonimin “mister”, por pikërisht “profesor”. Çdo herë që dal nga shtëpia gjendem i rrethuar nga një dashuri e madhe njerëzore, që më bën të ndihem mjaft mirë. Vllaznia është ekipi më i vjetër në vend: në palmaresin e saj ka nëntë tituj kampioni, gjashtë Kupa të Shqipërisë dhe dy Superkupa të këtij vendi. Ndihem krenar që jam trajner i një ekipi kaq të rëndësishëm.
Po nga pikëpamja e rezultateve, si po shkon kjo eksperiencë e juaja në Shkodër?
Ne jemi në 2/3 e gjithë sezonit dhe djemtë që stërvis janë në linjë me objektivin fillestar të përcaktuar nga klubi: qëndrimi në Superligë. Tani jemi në mes të tabelës së renditjes dhe nuk mund të ankohemi, sepse ekipi ka kaq shumë lojtarë të rinj, shumica e të cilëve vijnë nga akademia. Katër nga lojtarët e mi janë nën 20 vjeç, çka është dëshmi se po punojmë mirë.
Për publikun italian, Superliga Shqiptare është një rebus. Kjo do të thotë “kategoria më e lartë”, e cila korrespondon me Seria A të vendit tonë?
Unë kurrë nuk kam trajnuar në Itali dhe për këtë arsye nuk jam personi më i mirë për të bërë këtë krahasim. Unë mund të them vetëm se është një kampionat afërsisht i barabartë me ligën e dytë zvicerane. Kemi të bëjmë me një kampionat të nivelit diskret, që në vitet e fundit është duke bërë përparim. Sukseset e fundit të kombëtares shqiptare e provojnë këtë, për të mos përmendur shumë lojtarë shqiptarë që vijnë e luajnë në Itali. Shihni Lilën, i cili iu bashkua Parmës së fundi. Para pak sezonesh ai ka qenë pjesë e Superligës Shqiptare, u maturua në Greqi dhe tani do të jetë pjesë e Seria A.
Me Vllazninë keni nënshkruar një kontratë 1-vjeçare. Ai keni në plan për të qëndruar atje edhe në të ardhmen? Ose, a keni projekte të tjera?
Për momentin e vetmja siguri është qëndrimi im në Shkodër deri në qershor. Për më tej nuk mund të flas ende, edhe pse duhet të rrëfej se kam marrë oferta interesante.
Në punën tuaj si trajner, nga cili “profesor” frymëzoheni?
Si mentorin tim kam Zdenek Zeman. Unë do të doja ta filloja punën si trajner në Sicili, ndoshta në “oborrin” e presidentit Morace, në Trapani. Para se të shkoj në Shqipëri isha atje për të kuptuar arsyet e mrekullisë që e ka sjellë Trapanin në Seria B. Kam gjetur një kompani fantastike. Trapani është një shembull pozitiv se si planifikimi i mirë mund të sjellë rezultate të mëdha.
Kurrë nuk keni marrë një ofertë për të ardhur dhe punuar në Itali?
Jo një, por dy, nga Seria B dhe Lega Pro. Herët ose vonë, kjo do të ndodhë. Edhe pse duhet së pari të marr licencën “UEFA Pro”, pa të cilën nuk mund të trajnosh askund tani.
Gjatë kohës që po drejtoj Vllazninë mora avantazhin e një përjashtimi që m’u bë nga Federata e Shqipërisë, sipas një marrëveshjeje binjakëzimi me FIGC. Në maj, nëse gjithçka shkon mirë, unë do ta marr edhe këtë licencë. Por, në qoftë se shikoni moshën time, 52-vjeç, e kuptoni se kam ende për të studiuar.
Nga një trajner futbolli kërkohen aftësi të mira komunikimi. Si ia bëni për t’i përcjellë idetë tuaja tek lojtarët e Vllaznisë? Apo keni studiuar gjuhën e tyre?
Gjuha shqipe është e vështirë, unë kam mësuar vetëm fjalët themelore. Gjatë trajnimit dhe ndeshjeve flas në gjuhën angleze, që tani të gjithë e dinë. Në konferenca për shtyp dhe intervista, megjithatë, klubi ka vendosur një përkthyes që më ndihmon për të komunikuar me mediat.
Le të kthehemi në futbollin e shtëpisë tonë. Futbolli italian nuk është duke shkuar si duhet. Keni një ide se kush është përgjegjës për këtë përmbysje?
Është faji i atyre që i kërkojnë rezultatet me çdo kusht. Zeman na mësoi: para loja, pastaj vijnë rezultatet. Për fat të keq, klubet kanë gjithnjë e më pak durim. E vërteta është se futbollit italian i mungon durimi. Zvicra është tjetër gjë. Atje, tifozët janë po aq kërkues, por të lejojnë të punosh në paqe dhe pa gjenerimin e tensioneve, që përfundojnë duke dëmtuar të gjithë klubin. Deri diku mund ta them këtë edhe për Shqipërinë…