Rudi Vata ka qenë një pjesë e përfaqësues shqiptare e cila në vitin 1990 udhëtoi për të luajtur për herë të parë ndaj Islandës në Reikjavik. Një udhëtim me një peripeci të pazakontë ku disa futbollistë u arrestuan në aeroportin e Londrës ndërsa udhëtonin tranzit për shkak të vjedhjes së disa sendeve në dyqane.

Një histori e cila është pasqyruar gjerësisht këto ditë nga “Panorama Sport” e të cilën ish-kapiteni i përfaqësueses e kujton me shumë nota humori në “Sport News” në “News 24” edhe për ngjarjen tjetër të asaj sfide të par ëme islandezët, ku një person i zhveshur hyri në fushë kur po dëgjohej Himni i Flamurit.

“Episodi në aeroportin e Hithrou? E kujtoj mirë se ka qenë ndeshja ime e parë me ekipin kombëtar, në atë periudhë ne kishim një trajner që ndihmonte Birçen dhe kishte ardhur nga Gjermania Lindore. Ka qenë një eksperiencë që nuk harrohet kollaj se kemi kaluar një lloj aventure që është e paimagjinueshme për një ekip futbolli. Por ne jemi shqiptarë dhe duhet të jemi pjesë e këtyre aventurave se ne jemi unik dhe Zoti duket i planifikon dhe organizon këto situata që të na ndodhin neve.

Por ka qenë një histori për film, siç e thoni, kanë qenë shumë protagonistë dhe unë isha një prej tyre. Ishte delegacion i madh se ishte në udhëtim edhe ekipi i 21-vjeçarëve. Ishte një periudhë ku Shqipëri ishte shumë e varfër, shumë me pikëpyetje. Qëlloi në Londër, në Hithrou, në një prej aeroporteve më të mëdha të borës. Qëndrimi për 10 orë në tranzit krijoi një situatë të atillë që vetë ne nuk e dinim si persona se ku ishim.

Por është një eksperiencë, nuk ka qenë e këndshme, por ne jemi angazhuar direkt nga Londra kemi udhëtuar për në Reikjavik. Kemi bërë një paraqitje shumë të mirë bilës, duke pasur parasysh gjithë peripecitë që kemi kaluar. Por duke pasur parasysh performancën, përveç 2-3 momenteve të vogla ku pësuam golat, në fushë ka qenë shumë më lart performanca jonë se e Islandës.

Nudisti në fushë? Ai ishte një antikomunist dhe mori një iniciativë të tillë, i zhveshur nudo për të na treguar ne që kjo ëshsë liria dhe ju jeni komunistë dhe nuk e kuptoni lirinë. Ajo kishte një lloj domethënie për atë qe bëri, por në Shqipëri është komentuar në forma të ndryshme. Biles ka ardhur te këmbët e mia ku rrëshqiti. Sigurisht që ka qenë një eksperiencë e re, se imagjinoni një ekip kombëtar që i paraqitet, sidomos një ekip kombëtar fanatik siç ishim ne, një që del nudo.

Ne e kuptojmë që kryeministri ka dalë si nudist në plazhet e Europës se ne kemi edhe njerëz modernë, por në vitet ‘90 të na sillet një tifoz dhe të na vijë te këmbët nudo gjatë kohës së këndimit të himnit kombëtar, ishte e veçantë”, kujtoi Vata.