Presidenca e re e Vllaznia ka kaluar edhe një “pengesë” tjetër, atë të Komisionit të Sportit pranë Këshillit Bashkiak Shkodër. Sot do t’I duhet të kalojë edhe pengesën e fundit, atë të Këshillit Bashkiak për të dhënë ose jo aprovimin e tij për këtë transformim të klubit. Megjithatë çdo gjë duket punë e kryer. Nuk pritet ndonjë suprizë e pakëndshme. Grupi prej 5 biznesmenëve shkodranë do të marrë sot presidencën e re të Vllaznisë dhe Agron Çela mendohet të zyrtarizohet si president I saj.

Aprovimi duket se tashmë është marrë dhe është thjesht çështje e ngritjes së kartonëve lart nga ana e këshilltarëve. Klubi shkodran do kalojë kësisoj në një mënyrë të re menaxhimi, një mënyrë shumë interesante por me shumë paqartësi sesi do funksionojë. Një mënyrë  e ndërmjetme në mes drejtimit nga Bashkia dhe asaj nga donatorët privat. Gjithsesi pritet të jetë në të mirë të Vllaznisë.
Komisioni I Sportit. Paraditen e djeshme, drejtues të Bashkisë Shkodër kanë paraqitur në Komisionin e Sportit pranë Këshillit Bashkiak, kontratën- tip që pritet të firmoset në mes këtij insititucioni dhe pesë biznesmenëve që kanë shprehur interesin e tyre për të marrë në përdorim Vllazninë. Po ashtu është diskutuar edhe për projekt- buxhetin edhe të sportit për vitin 2013. Nga sa bëhet e ditur, anëtarët e këtij komisioni, kanë parë më vëmendje kontratën- tip të kalimit të klubit në përdorim të biznesmenëve dhe e kanë miratuar në parim atë. Kuptohet ka ende shumë paqartësi ligjore sesi do bëhet ky kalim dhe mënyra si do funksionojë, por këto duket se janë çështje që do diskutohen më pas me administratën e Bashkisë. Bëhet e ditur njëkohësisht se buxheti për klubin e futbollit Vllaznia për vitin 2013, do të jetë 200 milionë lekë të vjetra ndërsa për atë shumësportësh 360 milionë lekë të vjetra. Ajo çfarë ka patur për të miratuar ky komision, I ka miratuar dhe I ka kaluar për votim në Këshill ditën e sotme.
Këshilli Bashkiak. Mbledhja e paradites së sotme e këtij Këshilli do jetë përcaktues për presidencën e re. Kontrata- tip e hartuar nga administrata e Bashkisë dhe që ka marrë edhe miratimin e pesë biznesmenëve, do të kalojë për votim. Në të do jenë të parashikuar me detaje shumë gjëra, por ajo që merret vesh se është rënë dakord, ka të bëjë me atë se kohëzgjatja e kësaj kontrate nuk do të jetë 2.5 vjet siç u mendua por 3 vjet sepse kështu kishte kërkuar pesëshja e biznesmenëve dhe prandaj kontrata e marrjes në përdorim të Vllaznisë do të jetë e vlefshme deri më 31 dhjetor 2015. Gjërat duken të kopsitura mirë. Bashkia duke qenë e gatshme të heqë dorë nga menaxhimi dhe paratë e shumta të hedhura për futbollin, ka pranuar t’I kalojë atë në përdorim biznesit që do hedh paratë e tij por ato nuk do u njihen si kontribute. Në këtë mënyrë, Agron Çela nga mesdita e sotme do të jetë presidenti I ri I Vllaznisë. Post në të cilin ai kthehet pas 6 vitesh e gjysëm. Sigurisht me dëshirë dhe objektiva të tjera, për ta drejtuar edhe më mirë këtë klub dhe mbi të gjitha, për t’I rikthyer shpresën tifozëve shkodranë për një Vllazni pretendente gjatë kësaj periudhe.
Gjergj KOLA