Nga RAMADAN BIGZA

Biseda me Adrian Barbullushin, një emër të njohur i futbollit tonë, i larguar disi nga skena e tij nuk ishte thjesht një bisedë mes një gazetari dhe një ish-futbollisti, por shumë më tepër se kaq. Nga kjo bisedë kujtuam shumë gjëra që i mungojnë sot futbollit tonë, organizimit të tij. Fjala vjen, sot nuk ka shkolla futbolli nëpër rrethe, apo në shtëpitë e pionierëve nuk flitet më për futboll, madje nuk ekzistojnë fare këto shtëpi.

Nuk gjen më njerëz pasionantë si Ernest Halepiani me shokë, që punonin me aq durim e pasion duke përgatitur talente të rinj. Nuk ka më një ligj, që i detyron ekipet të aktivizojnë futbollistë të rinj, të talentuar me ekipet e para.
Të gjitha këto e të tjera më bën të mendoj se, përse kampionatit grek i mungojnë sot shqiptarët, kur për shumë vite ka qenë kampionati më i populluar.

Pak histori

Adrian Barbullushi tregon: “Kam filluar të luaj që 9 vjeç në shtëpinë e pionierit në Shkodër. Ai që më stërviti që në këtë moshë ka qenë i paharruari Ernest Halepiani. Ne moshën 10- vjeçare isha nxënës i shkollës “Xheladin Fishta” e specializuar për futbollin me trajnerë Selami Danin dhe Agim Medjen. Kam qenë në një klasë me Rudi Vatën. Nga ajo klasë dolën futbollistë që u bënë shumë të njohur, luajtën me Kombëtaren, por luajtën me sukses edhe në Evropë. Në moshën 14-vjeçare kam luajtur me të rinjtë e Vllaznisë dhe më kanë afruar me Kombëtaren e të rinjve. Me të rinjtë e Vllaznisë dolëm dy herë kampionë të vendit. Trajnerë të ekipit ishin Agim Media dhe Fatmir Paçrami. Në moshën 17-vjeçare, më saktë 17 vjeç e 57 dite, kam luajtur ndeshjen e parë me ekipin e të rriturve të Vllaznisë, trajner i së cilës ishte Ramazan Rragami. Ka qenë një ndeshje për kupën e Republikës ndaj Besëlidhjes, të cilën e fituam me rezultatin 2-0. Kam luajtur në formacion, duke përfituar nga një rregull që kishte vënë atëherë federata e futbollit, që në formacion duhej të ishte medoemos një 18-vjeçar. Mendoj se ishte një masë jashtëzakonisht me vlerë, sepse ndihmoi jo vetëm ekipet e kategorisë së parë, por edhe ekipet kombëtare, ku vërshuan shumë të rinj të talentuar. Mbaj mend se bashkëlojtarë me mua ishin emra të njohur të futbollit shqiptar si Ferid Rragami, Hysen Zmijani, Faslli Fakja etj.

Me Vllazninë kam luajtur 5 vjet në ekipin e parë. Ika nga ajo skuadër në moshën 21-22-vjeçare. Ndërkohë që më parë kisha filluar të aktivizohesha edhe me ekipin Kombëtar. Ndeshjen e parë me përfaqësuesen e kam zhvilluar në Greqi kundër kombëtares helene, ku u mundëm në Patra me rezultatin 1-0. Aty zëvendësova Sokol Kushtën. Trajner ishte Bejkush Birçe. Mund të kem qenë 19 ose 20 vjeç. Isha hera e parë që luajta me Kombëtaren A, sepse me përfaqësuesen e të rinjve dhe Shpresat kisha luajtur disa ndeshje. Pas një viti Kushta dhe unë kemi bërë sulmin e Kombëtares sonë. Me këtë skuadër kam luajtur disa ndeshje, ku ndër më interesante ka qenë ndeshja ndaj Spanjës në Sevilje. Kundërshtar kisha ish-futbollistin e njohur të Real Madrid, Sançis. Ndeshja që më ka lënë më shumë mbresa me Kombëtaren ka qenë fitorja e ekipit tonë ndaj Greqisë në Athinë, kur në vitin 1992, mposhtëm në stadiumin “Olimpik” skuadrën përfaqësuese Greke me rezultatin 2-0. Ky sukses ishte një gjë e çmuar për të gjithë ne, sepse thuajse i gjithë kontingjenti i Kombëtares sonë luante me ekipet greke. Mund të përmend këtu Kushtën, Strakoshën, Lekbellon, Agustin Kolën, Millon, Tahirin, i cili u fut në pjesën e dytë etj.. Jam larguar në Greqi në verën e vitit 1991. Merrnim pjesë në lojërat mesdhetare që po zhvilloheshin në Selanik. Bëmë dy ndeshje në kuadrin e lojërave mesdhetare me trajner Neptun Bajkon. Në ndeshjen ndaj Algjerisë, unë shënova dy gola, luajtëm edhe me Greqinë. Duke parë formën e mirë që kisha shumë ekipe greke më ofruan mundësi të ndryshme për të luajtur dhe meqenëse në Shqipëri situata ishte rënduar disi preferova të rri në Greqi për t’u aktivizuar me skuadra të ndryshme. Ekipi i parë grek ishte Egalio. Më pas shkova te Jonikosi, ku qëndrova katër vjet në kategori të parë. Vazhdova të luaj me ekipe të ndryshme deri sa e lashë futbollin. Kujtimet e mia me kolegët e mi janë të paharrueshme. Kam luajtur në një ekip me Agustin Kolën, i cili më ka ndihmuar shumë. Isha një djalë shumë i ri kur luajta në Greqi, por ndihmën që më dha Agustini nuk do ta harroj kurrë. Ka qenë një kohë kur kampionati grek kishte shumë shqiptarë. Ishte Kushta, Lekbello, Agustin Kola, Strakosha, Mirel Josa etj.. Ishte si të them një kampionat i populluar me shqiptarë”.

Ku janë shqiptarët e kampionatit grek?

Në fakt janë vetëm dy, Emiliano Vila dhe Andi Lila, që të dy luajnë me një ekip, që nuk i përket salloneve të mëdha të kampionateve greke. E pra, teksa flas për shqiptarët e kampionatit Grek kam parasysh ata që i dhanë tonin këtyre kampionateve. Më kujtohet Sokol Kushta e Mirel Josa, Artur Lekbello e Lefter Millo, Arjan Bellaj e Arjan Xhumba, Bledar Kola e Indrit Fortuzi, Edvin Murati e Ilir Shulku, Alban Bushi e Altin Haxhi, Foto Strakosha e Arjan Beqaj, Bledar Kola e Agustin Kola, Saimir Tahiri e Adrian Barbullushi e shumë e shumë të tjerë. Një Kombëtare e tërë. Po t’u shtoj këtyre emrave edhe të tjerë shqiptarë si Përparim e Mehmet Hetemaj, Hamdi Salihi etj., për të mos shkuar më gjatë për të përmendur Lulzim Bërshemin e Arvid Hoxhën, që u larguan nga Shqipëria në vitin 1987, apo emra të tjerë që kanë veshur fanellën e kombëtares greke si Panjoti Kone e Sotir Nini. Është një histori e tërë. Janë më shumë se dy dekada kur futbollistët tanë kanë qenë protagonistë të futbollit në vendin fqinj. Teksa kujton gjithë këto emra, gjithë këtë histori dhe kur mendon se futbollistë si Strakosha, që ka veshur fanellën e ekipit kampion rekordmen të Greqisë Olimpiakos, të Bledar Kolës, që ka veshur fanellën e Panathianikos e të AEK, të Lekbellos, Kushtës e Josës që kanë veshur fanellën e Aris, të Muratit që ka shkëlqyer me Iraklis etj., nuk mund të mos pyesësh: ku janë sot futbollistët tanë? Kampionatit Grek ka vite që po i mungojnë shqiptarët, po i mungojnë idhujt e qindra e mijëra tifozëve emigrantë. Mungesë talentesh apo mungesë dëshirë për të luajtur në këtë kampionat që gjithsesi duhet pranuar se është shumë më i fortë se i yni. Mendoj se është e para. Futbollistët e sotëm janë shumë larg emrave të mëdhenj që përmenda më parë. Vështirë se prodhon sot kampionati ynë një si Sokol Kushta, si Bledar Kola, si Edvin Murati apo një “bomber” si Alban Bushi, shumë gola të të cilit kanë mbetur në memorien e secilit si model të realizimit të tyre.

Një ditë Barbullushi trajneri i Vllaznisë…

Kjo është dëshira ime, shprehet Adrian Barbullushi: “Kam lindur në Shkodër, jam rritur në Shkodër, jam fëmijë dhe djalë Shkodre. Jam i dalë nga talentet që kishte ky qytet. Përvojën që kam fituar dua ta vë në shërbim të skuadrës sime, të atij qyteti që më ka dhënë aq shumë kënaqësi”. Barbullushi, i cili ka më se 20 vjet që është larguar nga Shqipëria çuditet pse Vllaznia vuan aq shumë për trajnerë. Shkodra i ka ato mundësi që trajnerin ta ketë shkodran. Ai flet me nostalgji për trajnerët shkodranë, ndërkohë që gëzohet për sukseset e Josës. I vjen keq për Lekbellon, por thotë se i ka mbetur borxh Agustin Kolës për atë ndihmë që i ka dhënë kur kanë luajtur së bashku në kampionatin grek. Nuk jam kundër trajnerëve të huaj, por ndryshe mendon një trajner vendas. Kështu mendon ai edhe për Kombëtaren. Edhe pse jeton prej vitesh jashtë vendit ai i njeh gjërat shumë mirë. Edhe Shkodra ka shumë emra të njohur që mund ta bëjnë shumë mirë atë punë. Thotë se Federata jonë e Futbollit ka bërë punë shumë të mirë, por kjo nuk do të thotë se nuk ka ende mundësi për ta përmirësuar edhe më shumë punën, sidomos për të gjetur mënyra e forma të ndryshme për ta bërë kampionatin edhe më interesant, edhe më të bukur. 44-vjeçari që flet 4 gjuhë të huaja thotë se është i gatshëm të marrë një ditë drejtimin e Vllaznisë. Këtu e përfunduam bisedën me Adrian Barbullushin. Kujtuam shumë gjëra, prekem probleme të mëdha. U takon të tjerëve të përmirësojnë punën e tyre. Njeriu, që është njohur me futbollin e të mëdhenjve kur ka qenë ende fëmijë, mësues që ka përfunduar studimet për histori – gjeografi mendoj se me mendimet e tij dha një leksion për futbollin.