Opinion nga Xhevdet ZEKAJ

Në kohët e lashta, një perandor vrau gjithë miqtë e bashkëpunëtorët e tij për të sjellë paqen, por populli i tha: Solli paqen për të mbjellë shkretëtirën…Nuk gjeja dot një referencë më të përafërt për gjendjen e futbollit shqiptar, në dekadencë të plotë, këto ditë, sidomos pas festës së fundvitit, apo darkës së gabuar të “Lala Gjonit”…U çmend ky, do të thotë ndonjëri?

Për të motivuar qasjen time në këtë shkrim, po sjell disa fakte dhe probleme të futbollit shqiptar këtë vit të fundit. Mjaftonte vdekja e një futbollisti 17-vjeçar në fushën e lojës për të mos festuar, mjaftonte dhembja e humbjes së atij djaloshi për t’i thënë “Lala Gjonit”: Mos o burrë, se ende nuk i ka mbush të dyzetat! Mjafton që kjo federatë, nën bekimin edhe të Eduard Dervishit apo Vilarit të Spanjës, të kopjonte nga Barcelona e madhe, që anuloi festën e fundvitit për shkak se operacioni i Vilanovës eklipsoi gjithçka. Mjafton të themi se asnjë federatë nuk bën festë “me lugë në brez”, pasi ato i bëjnë klubet, ligat, shoqatat. Me gjeni një të tillë dhe pastaj do t’u thosha se “shkretëtirën e solla unë, jo Lala Gjoni”!

Mjafton të themi se “Sport-Radar” na shpalli kampionë të trukimeve në Europë, për ta pasur flamurin në gjysmështizë, për të mos u ndjerë shumë së paku, jo për të trokitur gotat me verë franceze të shtrenjtë. Por kush pyet për kësi gjërash në futbollin tonë, të cilin Lala Gjoni e ka kthyer në shkretëtirë, në një moçal allishverishesh të papara. Mjafton të kujtojmë Gjikën, Bimen, Shkëmbin, Bizhdillin, Nokën, Kapllanajn, Fushajn, Halilin, Dajën, Lazen, Gjylën, Milen e sa e sa të tjerë që thonë se kot luajmë futboll, sepse fituesit i vendos ai burri lart, Lala Gjoni…Mjafton të shikojmë fushat e kthyera në moçal kur bje shi në Vlorë, Tiranë, Elbasan, Gjirokastër, Lushnjë, Kavajë, për të kuptuar se edhe patate po të mbjellësh në to, nuk rriten, jo më të luash futboll. Mjafton të kujtosh gjyqtarët e rrahur, dhunuar, dënuar, që masakrohen dhe e masakrojnë pafundësisht futbollin, herë për hesap të tyre dhe herë me urdhër nga lart, nga Lala Gjoni. Dhe pastaj si shpërblim marrin stemën e FIFA-s, si për të thënë se futbolli ynë luhet vetëm për pak njerëz, por kurrsesi për tifozët, si kudo në botë. Mjafton të shikosh se çfarë ndodh me futbollin e moshave, me gjykimet, grushtet apo rrahjen e lojtarëve të vegjël në fushë për të kuptuar shkretëtirën dhe darkën e gabuar të Lala Gjonit me manekinët e futbollit përreth. Tashmë e dinë të gjithë se po nuk u bënë golat në hark kohor 5 apo 6 minutash, nuk ka rroga, nuk ka para. Dhe atëherë e kuptojmë shkretëtirën e futbollit tonë, të realizuar e bekuar nga Lala Gjoni edhe për këtë vit futbollistik që po lëmë pas. Mjafton të themi se Lala Gjoni nuk dha trofeun e “Këpucës së Artë” për sezonin e shkuar, sepse e ka pranuar dhe Komisioni i Etikës se ishte trukuar, për të kuptuar se nuk ka përse të futet Prokuroria, se ligjin e bën Maliqi. Kaq mjafton të kuptojmë shkretëtirën tonë futboll! Mjafton të themi që ende Asambleja e Futbollit nuk heq punonjësit e FSHF-së, rrogëtarët e saj (e kam fjalën për drejtuesit e Ligës Amatore) nga e drejta e votës, që të kuptojmë moçalin që i siguron ta fillojë pushtetin me 10 vota plus Lala Gjonit, prandaj ai i kënaq në fundviti me ndonjë shishe verë. Mjaftonte “Sport-Radari” që askush të mos hante e këndonte, por kjo ka për të ndodhur rëndom sa të jetë Lala Gjoni, se minimalisht festën e bëjnë me lekët e tyre dhe jo të FSHF-së, janë lekët e fëmijëve që paguajnë për një kampionat të rinjsh e nuk marrin asgjë prej tij profesionalisht. Mjafton të kujtojmë se jemi i vetmi vend në Europë pa Ligë Profesioniste, se Lala Gjoni nuk do, për të kuptuar sa prapa jemi me këtë futbollin tonë!

Hani, pini dhe këndoni, sa të jetë Lala Gjoni, por me lekët tuaja, sepse nuk ka njeri aty që të ketë pirë ndonjë kafe nga  xhepi personal i tij. Të paktën këtë e thonë gjithë puthadorët dhe ata që sot i bëjnë fresk, por o Zot, na ruaj se çfarë urrejtje kanë për denigrimin nga pushteti absolut. Madje e thotë këtë edhe ndonjëri prej sojit tonë, borxhli presidentësh të klubeve, edhe ndaj Lala Gjonit, që duhet të punojë pa rrogë për t’i kthyer borxhin të madhit atje lart. Prandaj ajo darkë e gabuar nuk duhej bërë, sepse në vend të paqes e prosperitetit, FSHF-ja ka mbjellur shkretërirën!