FAQJA E PARE KRYESOREOpinion nga Altin F. Sahiti/ Shqipëria të shohë se çfarë ligji i...

Opinion nga Altin F. Sahiti/ Shqipëria të shohë se çfarë ligji i sponsorizimit në Kosovë

Qeveria e Shqipërisë e paska miratuar projektligjin për donacionet dhe sponsorizimet. Për sportin, ai parashikon që bizneset të mund të zbresin deri në 30% nga tatimi mbi fitimin për sponsorizimet, një formulë të kopjuar nga ne, pra Kosova e zbaton prej vitesh. Uroj që Kuvendi i Shqipërisë, kur ta shqyrtojë projektligjin, të shohë edhe se çfarë ka prodhuar kjo skemë në Kosovë.

Po e them hapur. Në disa klube të basketbollit në Kosovë, gara për titull ka marrë përparësi ndaj zhvillimit të lojtarëve vendorë. Sipas një hulumtimi të IDEA-s, klubet e basketbollit kishin kontrata sponsorizimi në vlerë rreth 5,3 milionë euro në vitin 2024. I njëjti hulumtim vëren se në Superligë basketbollistët e ardhur nga jashtë luanin në total më shumë se vendorët. Me këtë nivel financimi, sa lojtarë të formuar nga klubet tona po arrijnë të fitojnë një vend në ekipin e parë?

Në lojën e fundit të javës së kaluar ndërmjet KB Peja dhe KB Prishtina, në një periudhë të lojës vetëm Arbër Sinani ishte Kosovar në fushë!

Ligji ynë përcakton sa mund të zbresë sponsori nga tatimi. Edhe shpenzimet e klubeve meritojnë rregulla të qarta. NBA-ja vendos tavan për fondin e pagave dhe zbaton një taksë shtesë mbi një prag të caktuar. Premier League i lidh shpenzimet për skuadrën me të hyrat nga futbolli dhe bilancin nga shitja e lojtarëve. Federatat tona në bashkëpunim me Ministrinë DUHET ta zbatojnë këtë parim duke i lidhur shpenzimet për paga dhe transferime me të hyrat që klubet mund t’i dëshmojnë.

Federata e Basketbollit e Kosovës tashmë kërkon që klubet e Superligës së meshkujve të ndajnë së paku 10% të buxhetit të planifikuar për grupmoshat U10–U18, ide kjo që u vendos disa muaj pasi që e kisha shpreh si ide në emisionin Asist. Tani duhet të bëhet publike, klub më klub, sa është shpenzuar realisht për këto grupmosha dhe sa prej lojtarëve të formuar aty po marrin minuta në ekipin e parë.

Jam për ta ruajtur dhe për ta forcuar Ligjin për Sponsorizime. Kur shteti heq dorë nga një pjesë e të hyrave tatimore për sportin, zhvillimi i sportistëve vendorë duhet të jetë kusht i kësaj lehtësie. Nëse një biznesmen kërkon titull me çdo kusht për egon e vet, le ta marrë vetë përsipër koston e asaj ambicieje dhe jo me paratë që do duhej t’i takonin popullit të shet krenari!

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments