Shkruar nga Endri ÇINARI
Skuadra e Vllaznisë do të ketë sërish mungesa në dispozicion për ndeshjen e radhës në kampionat, teksa ndaj Teutës skuadra shkodrane nuk do të jetë e plotë. Pas humbjes 2-0 në transfertë me Laçin, kuqeblutë duhet të bëjnë llogaritë pa një prej lojtarëve të afruar gjatë merkatos së verës, duke e detyruar stafin teknik të ndërhyjë edhe një herë në zgjedhjet për formacionin.
Konkretisht, ndaj Teutës nuk do të jetë i gatshëm Adnard Mehmeti, i cili do ta shlyejë pezullimin pas kartonit të kuq të marrë në përballjen me Laçin. Mesfushori u ndëshkua me karton të kuq në sfidën e fundit dhe tashmë do ta ndjekë ndeshjen e radhës nga jashtë, duke i hequr Edi Martinit një alternativë më shumë për repartin e mesfushës.
Ndërkohë, një mungesë që vazhdon prej muajsh është ajo e Lirim Kastratit. Anësori kosovar vijon të jetë jashtë fushave të lojës prej më shumë se gjashtë muajsh, pas dëmtimit që pësoi në muajin mars. Kastrati nuk ka mundur ende të jetë pjesë e skuadrës në ndeshje zyrtare, ndërsa rikuperimi i tij po zhvillohet gradualisht dhe pa nxituar me rikthimin.
Aktualisht, lojtari është duke vijuar fazën e rikuperimit, me synimin për të kaluar të gjitha etapat e nevojshme përpara se të rikthehet në stërvitje të plotë. Sipas pritshmërive, muaji tetor mund të jetë periudha kur Kastrati të nisë gradualisht bashkimin me pjesën tjetër të skuadrës, fillimisht në mënyrë të kontrolluar dhe me ngarkesa të përshtatura.
Rikthimi i tij do të ishte një lajm i mirë për Vllazninë, sidomos në një moment kur skuadra ka nevojë për më shumë alternativa dhe konkurrencë në krahë. Megjithatë, pas një periudhe kaq të gjatë jashtë fushave, stafi teknik nuk pritet të marrë asnjë rrezik me Kastratin, duke e konsideruar rikuperimin e plotë si prioritet.
Kështu, përballja me Teutën e gjen Vllazninë me një mungesë të detyruar për shkak pezullimi dhe një tjetër afatgjatë për arsye dëmtimi. Në pritje të rikthimit të Kastratit dhe të shlyerjes së dënimit nga Mehmeti, Edi Martini duhet të gjejë zgjidhjet e duhura për të përballuar këtë situatë dhe për të kërkuar reagimin e shumëpritur të kuqebluve
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


