Lionel Messi ka shmangur pezullimin në kampionatin amerikan MLS, pavarësisht se ka marrë kartonin e pestë të verdhë në këtë sezon. Kapiteni i Inter Miamit u ndëshkua në barazimin 2-2 ndaj FC Cincinnatit, duke shkaktuar shqetësim te tifozët për mundësinë e mungesës në ndeshjen e ardhshme. Megjithatë, një rregull i veçantë i kampionatit amerikan i ka ardhur në ndihmë argjentinasit.
Bëhet fjalë për mekanizmin e quajtur ‘Good Behavior Incentive’, ose nxitja për sjellje të mirë, i cili shpërblen futbollistët që kalojnë disa ndeshje radhazi pa marrë karton të verdhë apo pa u ndëshkuar për shkelje të tjera disiplinore.
Sipas këtij rregulli, për çdo seri prej pesë ndeshjesh radhazi pa ndëshkime disiplinore, një karton i verdhë hiqet nga bilanci i lojtarit. Ky mekanizëm mund të përdoret deri në tri herë gjatë fazës së rregullt të kampionatit.
Messi e kishte përfituar këtë lehtësi edhe në dy raste të mëparshme. Fillimisht, ai kaloi pesë ndeshje pa u ndëshkuar mes kartonëve të marrë ndaj Orlando City-t dhe Nashville. Më pas, argjentinasi regjistroi një seri prej dhjetë ndeshjesh pa kartonë apo masa të tjera disiplinore, mes ndëshkimit ndaj Nashville dhe atij ndaj Atlanta-s.
Për këtë arsye, ndonëse kartoni ndaj Cincinnati-t ishte i pesti për të në fushë, në bilancin zyrtar disiplinor të kapitenit të Inter Miami figurojnë vetëm tre kartonë të verdhë.
Kështu, Messi nuk do të vuajë asnjë ndeshje pezullim dhe do të jetë i gatshëm për sfidën e ardhshme kundër New England Revolution, që do të luhet këtë të diel, në kuadër të javës së 33-të të MLS-së.
Një rregull që mund të duket i pazakontë në futbollin evropian, por që në kampionatin amerikan i ka dhënë Messit mundësinë të shmangë pezullimin falë sjelljes së tij në ndeshjet e mëparshme.


