Një tjetër futbollist nga Superiorja për Kombëtaren. Pas Dajsinanit, Alijit, Qefalisë, me kuqezinjtë do të bashkohet edhe Ysni Ismaili.
“Panorama Sport” mëson se mbrojtësi i Dinamos është njoftuar dhe nesër do të zbarkojë drejt Tiranës, për t’u venë në dispozicion të trajnerit Maran.
24-vjeçari ndodhej në Maqedoninë e Veriut pranë familjes në këto ditë pushimi, teksa sot është lajmëruar se do të jetë pjesë e grupit për 4 duelet e Ligës së Kombeve.
Dëmtimi i mbrojtësit Balliu, ka bërë që të lindë nevoja për afrimin e një mbrojtësi tjetër të djathtë, ku trajneri Maran ka preferuar Ysni Ismailin, i cili ka bërë paraqitje fantastike me Dinamon, si në kampionat ashtu edhe në ndeshjet europiane. Ai gjithashtu numëron edhe 4 ndeshje me Kombëtaren U21 të Alban Bushit.


