Nga Maringlen ZHIVANI

Ditët e fundit ka shpërthyer një situatë e pakuptimtë mes Bashkisë së Shkodrës dhe KF Vllaznia, lidhur me përdorimin e stadiumit “Loro Boriçi” për një koncert recital të këngëtarit të mirënjohur Bujar Qamili. Së fundmi, gjithçka u mbyll, teksa koncerti u spostua në sheshin para Bashkisë, ndërsa Vllaznia ndeshjen e parë europiane do ta luajë në “Elbasan Arena”.

Në fakt, shumëkush mund të mos jetë dakord me merkaton apo me ndonjë vendim të drejtuesve të klubit, por në çështjen e stadiumit, personat që janë kundër klubit dhe mbajnë anën e Bashkisë, janë thjesht njerëz që nuk kanë lidhje as me sportin dhe as që ia duan të mirën ngjyrave kuqeblu. Krahasimet me stadiumet e huaja, ku bëhen koncerte, janë krahasime boshe, pasi në Shkodër nuk janë as kushtet më minimale për të bërë krahasime të tilla.

Fusha është në gjendje mediokre në këto momente dhe nëse koncerti do bëhej në tapetin e stadiumit “Loro Boriçi”, atëherë do ta degradonte edhe më shumë. Edhe stadiumi “Selman Stërmasi” në Tiranë, kështu filloi duke u degraduar me koncerte dhe tashmë, fusha ka përfunduar në kushte mediokre. Sot fusha e “Loro Boriçit”, por jo vetëm, edhe ambientet përreth saj janë në gjendjen e tyre më të keqe. Bashkia, si pronare e stadiumit, i ka lejuar klubit përdorimin pa pagesë, një praktikë kjo që ka vazhduar prej vitesh.

Madje, vetë Bashkia mban mbi supe gjithë barren e mirëmbajtjes, paguan dritat dhe ujin. Mirëmbajtje nëse mund t’i thuhet, sepse vetëm diçka e tillë që nuk është, pasi “Loro Boriçi” po rrënohet çdo ditë. Stola të prishur, ambiente të papastruara, mbeturina dhe madje edhe merimanga. Situata brenda stadiumit është edhe më alarmante, ku nuk mungon lagështia në ambientet nëntokësore, kabllo elektrike të dëmtuara apo edhe rrjete hidraulike jashtë funksioni. Në këtë gjendje që ndodhet momentalisht stadiumi, nuk plotëson as kushtet më minimale për të pritur ndeshjet ndërkombëtare.

Bashkia përveç se nuk e mirëmban, tani do edhe që ta degradojë tërësisht me koncerte apo edhe me aktivitete të tjera që herë pas here janë zhvilluar në stadium, madje edhe takime politike. Gjendja e stadiumit po degradon çdo ditë, sepse pikërisht Bashkia nuk po kujdeset aspak për të, por më e bukura është se vëmendja e Bashkisë është më tepër për të zhvilluar koncerte në stadium sesa për ta mirëmbajtur atë.

Gjithsesi, Bashkia dhe klubi duhet të rikthehen te bashkëpunimi që kanë patur prej vitesh, por për momentin diçka e tillë duket pothuajse e pamunndur për të ndodhur. Koncerti u spostua nga stadiumi, por “Loro Boriçi”, një nga simbolet më të mëdha të Shkodrës, po shkatërrohet çdo ditë nën sytë e atyre që duhet ta mbrojnë, edhe pse ky impiant sportiv nuk e meriton një gjë të tillë.(www.shkodrasport.com)