Nga Maringlen ZHIVANI

Belajdi Pusi është kthyer në një emër të rëndësishëm në kampionatin azerbajxhanas. Sulmuesi shkodran është shndërruar në një protagonist absolut të ekipit të tij në shumë ndeshje që nga fillimi i sezonit. 26-vjeçari ka arritur ta gjejë katër herë rrjetën në këtë sezon dhe po ashtu ka assistuar tre herë për shokët e skuadrës, duke treguar që po kalon një formë mjaft të mirë në Azerbajxhan me ekipin e Shamakhi, ku u transferua gjatë merkatos së verës që lamë pas. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Pusi foli për formën e tij që po kalon atje, teksa shprehet i kënaqur.

“Të them të drejtën, jam i kënaqur për ndeshjet e fundit dhe formën që po kaloj në Azerbajxhan. Gjithsesi, pres më shumë nga vetja dhe besoj që pjesën e dytë të sezonit, do bëj më mirë. Ekipi jonë, Shamakhi, ka vitin e parë që është ngjitur në Superligën e Azerbajxhanit dhe objektivi është mbijetesa këtë sezon. Për sezonin tjetër, do kemi objektiva të tjera. Momentalisht, jemi tetë pikë larg fundit dhe jemi brenda objektivave.”

Ky është sezoni i tretë i Pusit në Azerbajxhan, teksa ai foli edhe për eksperiencën e tij që ka kaluar atje gjatë kësaj periudhe.

“Jam ambientuar shumë shpejt. Çdo gjë është pozitive atje. Jam ambientuar me vendin, me ekipet dhe me kampionatin. Vjet isha me një ekip tjetër dhe trajneri i këtij ekipi, shkoi te Shamakhi dhe më mori me vete. Më transferoi aty në gjirin e ekipit të Shamakhit dhe jam i kënaqur që jam këtu. Në fakt, ka diferenca të mëdha mes kampionatit shqiptar dhe kampionatit azerbajxhanas. Ritmi i lojës është pak më i lartë atje dhe futbolli është më teknik, pasi ka futbollistë cilësorë që vijnë nga kampionate shumë të forta dhe ka shumë cilësi. Gjashtë muajt e parë më shërbyen për t’u ambientuar, ndërsa dy vitet tjera u ambientova shumë mirë dhe tani ndihem si në shtëpi. Nuk ka shumë diferencë.”

Si një ish-futbollist i saj, Pusi kishte edhe një koment për ekipin e tij të qytetit, Vllazninë.

“Vllazninë e ndjek çdo ndeshje. Nuk e humbas asnjë ndeshje, pasi jam tifoz i saj. Vllaznia më duket ekip i mirë, pasi ka futbollistë cilësorë dhe besoj se mund ta arrijnë objektivin dhe qëllimin që kanë. Normalisht që, është e vështirë për ta arritur titullin kampion, sepse janë katër-pesë ekipe që luftojnë për ta fituar titullin, por me seriozitet dhe me përkushtim, Vllaznia mund ta arrijë.”

Në fund, Pusi foli edhe për të ardhmen e tij.

“Futbollit nuk i dihet asnjëherë, por në mendjen time kam që katër-pesë vitet e ardhshme të luaj jashtë, pastaj shohim. Kam patur disa bisedime në Rumani, Turqi dhe në disa kampionate të tjera, por për momentin ndihem mirë në Azerbajxhan. Jam ambientuar dhe çdo gjë është korrekte aty. Nuk është se po shikoj për të lëvizur për momentin. Megjithatë, besoj që një ditë do të rikthehem sërish te Vllaznia, sepse është ëndrra e çdo shkodrani që të luajë me Vllazninë dhe besoj që një ditë do rikthehem për të luajtur me ngjyrat kuqeblu. Qysh të vegjël jemi rritur me Vllazninë dhe është ëndrra e çdo shkodrani për të luajtur aty.”

Në Shqipëri, Belajdi Pusi, përveç Vllaznisë ku është rritur dhe formuar si futbollist, është aktivizuar edhe me Skënderbeun, ndërsa tashmë është në sezonin e tij të tretë në elitën e futbollit azer./www.shkodrasport.com/