Nga Endri ÇINARI
Vllaznia do luajë ndeshjen e premte për herë të parë në mënyrë zyrtare për vitin 2025. Shkodranët rikthehen para tifozëve të tyre në një klasike kundër Tiranës. Me kuqeblutë që duan ta nisin sa më mbarë vitin dhe të shfrytëzojnë edhe momentin negativ të kryeqytetasve. Skuadra tashmë duket edhe më e plotë pas rikthimit nga dëmtimet të disa futbollistëve.
Edhe për 90 minutat e para të vitit, duket se dilemat do jenë më të pakta për formacionin titullar. Kështu me grupin është rikthyer së fundmi edhe Ildi Gruda. Sulmuesi i cili e mbylli me 8 gola sezonin e shkuar nuk ishte pjesë e e kuqebluve në ndeshjet e fundit të vitit 2024. Kjo për shkak të një dëmtimi i cili tashmë duket se ka kaluar, shkruan shkodrasport.com
Por duket e vështirë që ish-sulmuesi i Teutës ta nisë nga minuta e parë takimin në Shkodër. Pavarësisht se ai është një “armë” plus për Brdariç dhe stafin e tij. Me 24-vjeçarin që e ka gjetur edhe dy herë rrjetën këtë edicion. Dhe ripërsëritja e dëmtimit në gju bëri që ai të ndalohej në ndeshjet e fundit të vitit të shkuar. E ndërsa tashmë duket se gjithçka është lënë pas për numrin 7-të, që duket se gëzon një formë optimale fizike.
Patjetër ky fakt gëzon shumë tek Vllaznia. Me kuqeblutë që kanë vuajtur shumë me dëmtimet në pjesën e parë të sezonit. Ku mbi 13 futbollistë kanë shfaqur probleme të ndryshme fizike, të cilat stafi shpreson të mos ripërsëriten në vitin 2025./www.shkodrasport.com/