Kanë mjaftuar 10 ditë stërvitje intensive dhe tashmë Elvis Plori ka dëshirë ta shohë Besëlidhjen e tij edhe në fushën e lojës duke luajtur. Si rrjedhojë brenda kësaj jave, stafi teknik i skuadrës lezhjane ka planifikuar të zhvillojë dy ndeshje miqësore.
E para do të luhet pasditen e nesërme dhe përballë saj do të jetë ekipi “Partizani B”. Ndeshja është planifikuar të startojë në orën 16:00 dhe do të luhet në stadiumin “Besëlidhja” të qytetit të Lezhës.
Ndërsa ndeshja e dytë do luhet ditën e shtunë dhe përballë lezhjanëve do të jetë ekipi i Luzit. Për këtë takim mbetet për t’u mësuar se ku do të luhet, në Lezhë apo në Luz dhe kjo do të mësohet në ditët në vazhdim.
Këto dy ndeshje do t’i shërbejnë stafit teknik të Besëlidhjes për të parë gjendjen e futbollistëve vetëm pak ditë para startit të kampionatit. Duhet thënë se përgatitjet kanë nisur disi me vonesë për lezhjanët dhe kjo përbën njëfarë shqetësimi për trajnerin Elvis Plori.
Përballjet me “Partizani B” dhe Luzin, do të jenë një test për të gjithë futbollistët që janë bashkuar me skuadrën lezhjane. Besëlidhja është ndërtuar këtë sezon për të qenë pretendentja kryesor për ngjitjen në kategorinë e parë dhe prandaj të gjithë janë me kërshëri për ta parë atë në fushën e lojës.(www.shkodrasport.com)