Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka lavdëruar me forcë formatin e ri të Kupës së Botës për Klube, edicioni i parë i së cilës po zhvillohet këtë verë dhe përfaqëson një nga projektet më ambicioze të institucionit që ai drejton.

Gjatë një fjalimi në ‘Fanatics Fest në Manhattan’, Infantino u shpreh me entuziazëm për këtë turne që ka ngjallur diskutime të shumta: “Ndoshta disa e kritikojnë pak, por është diçka e re. Është diçka e veçantë. Është një Kupë e vërtetë Bote, me skuadrat dhe lojtarët më të mirë në botë.”

Infantino vuri në dukje se, edhe pse në të shkuarën ka ekzistuar një version i Botërorit për Klube, ky format me 32 skuadra dhe një fond total prej 1 miliard dollarësh përfaqëson një risi historike.

“Prej një shekulli kemi ditur se cila është kombëtarja më e mirë në botë, por nuk kemi pasur kurrë një mënyrë për të përcaktuar se cila është skuadra më e mirë e botës. Prandaj menduam: pse të mos e bëjmë një Kupë Bote për klube? Dhe lojtarët që marrin pjesë, e adhurojnë këtë kompeticion.”

Për ta përforcuar këtë ide, Infantino solli si shembull deklaratën e ‘yllit’ anglez Harry Kane:

“Ai tha: ‘Është një kompeticion fantastik, është i bukur’. Lojtarët e duan. Ata që nuk janë aty, sigurisht që do të donin të ishin.”

Në fund, presidenti i FIFA-s pati edhe një mesazh të veçantë për publikun amerikan:

“Kupa e Botës për Klube, ashtu si ajo e vitit të ardhshëm, do t’u tregojë të rinjve amerikanë se nëse je i mirë dhe ke talent, nuk ke nevojë të ndjekësh një sport tjetër. Sepse përmes futbollit, mund të arrish lavdi dhe pasuri. Mund të bëhesh i famshëm, mund të bëhesh i pasur, duke ndjekur një rrugë futbollistike, gjë që shumë të rinj në SHBA ende nuk e shohin. Ata shohin NFL, NBA, bejsboll apo hokej… Por ne do t’u tregojmë këtu, në vendin e tyre, fuqinë e futbollit.”