Gjykata e Drejtësisë në Rio de Zhaneiro, me vendim të gjyqtarit Gabriel de Oliveira Zefiro, urdhëroi shkarkimin e Ednaldo Rodrigues nga posti i presidentit të Federatës Braziliane të Futbollit (CBF).

Posti përkohësisht iu dha zëvendës-presidentit Fernando Sarney, me kërkesën për shpalljen e zgjedhjeve “sa më shpejt të jetë e mundur”. Rodrigues, i cili këtë javë njoftoi nënshkrimin e Carlo Ancelottit si trajner i kombëtares së Brazilit, u rizgjodh në mars për të shërbyer deri në vitin 2030.

Ishte Sarney ai që i kërkoi gjykatës të largonte Rodrigues. Gjykatësi e shpalli të pavlefshme marrëveshjen që vleftësonte mandatin e parë të Rodrigues dhe vendosi se pa të, Rodrigues nuk mund të kishte kandiduar për një mandat të dytë. Dënimi mund të apelohet.

CBF nuk ka komentuar ende, por është e qartë se nëse Rodrigues nuk e fiton betejën në gjykatë, e ardhmja e Ancelottit në pankinën braziliane mund të jetë gjithashtu në dyshim duke qenë se vetë Rodrigues ishte sponsori kryesor i trajnerit italian.