Klubi Vllaznia sot ka patur ditëlindjen. Pikërisht 95 vjetorin e krijimit të tij. Një përvjetor që ka kaluar krejtësisht në heshtje në fakt. Situata në sportin shkodran duhet pranuar që nuk është ajo e duhura. Askush nuk e ka mendjen tek ditëlindjet. Futbolli është i mbërthyer në ankthin e rënies apo jo nga kategoria. Sportet e tjera kanë edhe ato hallet e veta, dikush për të gjetur financa për të mbijetuar, dikush për t’i gjetur këto financa për t’u shpallur kampion. Rezultati: Asnjë aktivitet kushtuar këtij përvjetori të klubit më të hershëm në Shqipëri. Ky është një mëkat. Vetëm pak kohë më parë në Elbasan “u sajua” 100 vjetori i krijimit gjoja të klubit “Elbasani” dhe nëse ne të gjithë qeshëm me këtë të pavërtetë, në fakt elbasanasit ia arritën qëllimit. Tërhoqën vëmendjen dhe sot ata po rikonstruktojnë stadiumin e tyre në mënyrë që të presin ndeshjet e kombëtares. Në Shkodër ndërkohë askush nuk dëgjohet. Gjithçka i është lënë në dorë Bashkisë por në fakt edhe komuniteti i biznesit e faktorë të tjerë, politikë apo jo, duhet të bëjnë më shumë për këtë qytet. Veçarërisht për sportin sepse ai është pjesë e rëndësishme e tij. Në vite ka qarkulluar shprehje se “shkodranët pa bukë qëndrojnë dhe pa Vllazni jo”. Mbase dikush kërkon t’i lërë edhe pa Vllazninë e tyre të dashur prandaj përvjetori i sotëm duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë ne. Nuk do ishte aspak mirë nëse 96 vjetori i klubit Vllaznia do ta gjente skuadrën e futbollit të tij në kategorinë e dytë. Nuk do ishte mirë që 96 vjetori i klubit Vllaznia të mos i gjente ekipet e basketbollit dhe volejbollit të meshkujve si kampionë. Nuk do ishte mirë që përvjetori i ardhshëm ta gjente këtë qytet pa ia plotësuar kushtet sportistëve në infrastrukturë. Nëse 95 vjetori kaloi si kaloi, ai i ardhshme duhet të jetë ndryshe. Prandaj dhe përvjetori i sivjetëm të jetë një mësim për të gjithë ne. Vllaznia është e të tanve dhe të tanë ne duhet të mendojmë për të. Megjithatë sonte është rasti të themi: Gëzuar Vllazni!
© shkodrasport.com