Vllaznia pas humbjes në Krujë ndodhet re alisht e rrezikuar për të rënë nga kategoria. Po të isha pyetur më parë, as që e kisha menduar një gjë të tillë, ndërsa tani situata sa vjen dhe rëndohet”, – u shpreh për gazeten një nga ikonat e futbollit shkodran, Hysen Zmijani. Ish-mbrojtësi i Vllaznisë dhe Kombëtares e shikon tani me syrin skeptik të ardhmen e skuadrës shkodrane. “Ajo që më vjen keq, duke e lidhur edhe me takimin e fundit me Kastriotin, është se skuadra prodhon lojë, krijon raste dhe sërish nuk merr atë që do, fitoren. Të mos luash dhe të ndëshkohesh nuk është ndonjë habi, por që të luash siç ka bërë në të katër takimet e këtij viti dhe të mos merret asnjë fitore, është e habitshme. Realisht të vjen keq që me këto paraqitje jemi tepër të rrezikuar për të rënë nga kategoria. Mesa shikoj, skuadra tani po kalon një ‘shok’ psikologjik dhe nuk ka ende forcë për të dalë prej kësaj gjendjeje”, – tha Hysen Zmijani.

Analiza – Më tej ai i ka bërë një analizë situatës aktuale dhe takimit me Kastriotin. “Duke u nisur nga ndeshja e fundit mund t’ju them se në dy nga tre golat e pësuar ka një përgjegjësi të madhe portieri. Mbrojtja vijon të jetë sërish një problem shqetësues. Sapo rregullohet në një takim nuk gjen stabilitet në tjetrin. Ajo çka më shqetëson, është se mungon loja që dikur bënin mbrojtësit e krahëve në ndihmë të sulmit. Ata do të ishin dy forca më shumë në sulm dhe do të ishin furnizuesit kryesorë të sulmuesit Bushiç. Gjithashtu do të funksiononin më mirë, me vlerat që ka Bushiç, jo vetëm si shënues, por edhe si një lojtar që shërben mirë për të tjerët do të kishim më shumë prodhimtari. Bushiç kërkon që të ketë afër lojtarë të tjerë, të cilët e godasin portën. Faktikisht në Krujë, goli i dytë erdhi nga një skemë e tillë. Për mendimin tim, mesfusha po punon shumë dhe në takimet e fundit ka qenë në lartësinë e kërkuar. Për sa i përket Nikoliçit, mund t’ju them se një lojtar i tillë me vlera të mira teknike, po nuk qe mirë fizikisht, nuk mund të realizojë pritshmërinë”, – vijoi Zmijani.
E ardhmja – “Një takim i rëndësishëm mbetet ai me Partizanin. Vllaznisë nuk i bën punë një pikë, por vetëm fitorja. Nëse nuk do të shpërdorojmë si me Flamurtarin apo Teutën dhe me pak fat, jam i bindur se me Partizanin do të fitojmë. Në ndeshje të tilla, fitorja të jep shpresë dhe të rrit moralin. Mendoj se Vllaznia nuk ka më kohë për të lënë pikë, sidomos në Shkodër”, – përfundoi Hysen Zmijani.

Admir URUÇI