Në ndeshjen e kaluar ndaj Partizanit, ai u ndëshkua me karton të verdhë pas një zënke me Kalarin.

Një nervozizëm i panevojshëm i tij që e detyroi arbitrin Jorgji ta ndëshkonte por në fakt, ai ndëshkim do t’ia hiqte atij të drejtën për të luajtur në ndeshjen e rradhës ndaj Kukësit.

Kjo ngaqë ka plotësuar numrin katër të kartonave të verdhë. Bëhet fjalë për mesfushorin fantazit të Vllaznisë Erjon Vucaj.

Por “për të shlyer” këtë gabim të bërë, sot numri 10 i kuqebluve ka bërë një veprim fantastik.

I ka kërkuar trajnerit Ervis Kraja të jetë në Durrës për të luajtur me ekipin B në ndeshjen finale ndaj Orikut.

Një gjest vërtetë shumë domethënës sepse duke parë që nuk mundet të luajë ndaj Kukësit, të paktën ka dashur të japë kontributin e tij në qëndrimin në kategorinë e parë të ekipit Vllaznia B.

Nuk ndodh shpesh që lojtarë të tillë elitare të pranojnë të luajnë me ekipet e dyta por Vucaj sot e ka pranuar me shumë dëshirë një gjë të tillë.

Kuptohet, që ia lejon rregullorja një gjë të tillë dhe ai do të bëjë më të mirën e tij në këtë takim.
© shkodrasport.com