Pas shitjes së Reijnders, që solli në arkat e Milanit rreth 55 milionë euro plus bonuse, drejtuesit kuqezi po punojnë intensivisht për përforcimet që do t’i dhurohen trajnerit Alegri.

Një prej objektivave kryesore në mesfushë është Granit Xhaka, mesfushori me eksperiencë, aktualisht te Bajer Leverkusen. Xhaka pëlqehet shumë nga drejtori sportiv Igli Tare dhe kontaktet me agjentët e tij janë në vazhdim e sipër prej disa ditësh.

Sipas burimeve, ka një dakordësi paraprake nga ana e mesfushorit, dhe në ditët në vijim pritet të nisin bisedimet me klubin gjerman. Në Milano shpresojnë që brenda 48 orëve të arrihet një marrëveshje për këtë transferim. Në këtë negociatë mund të përfshihet edhe Malik Çau, një tjetër lojtar që pëlqehet shumë nga Bajer Leverkuseni. Hapat e parë nga Xhaka janë konsideruar shumë pozitivë, duke qenë se ai ka qenë figura qendrore në mesfushën e Leverkusenit nën drejtimin e Ksabi Alonsos dhe tani duket gati për t’u bashkuar me Milanin, shtatë herë kampion i Europës.

Ndërkohë, përveç çështjes së Teo Hernandez, e cila mbetet pezull për momentin, Milani është aktiv edhe në kërkimin e një sulmuesi të nivelit të lartë për të shoqëruar Santiago Gimenezin, i ardhur në janar. Pista për Dushan Vlahoviçin duket e komplikuar, pasi trajneri Tudor dëshiron ta mbajë atë, ndërsa Mateo Retegi i Atalantës vlerësohet mbi 50 milionë euro dhe për momentin është i paarritshëm.

Por në këtë merkato mund të ketë edhe një surprizë, Darvin Nunjez, sulmuesi uruguaian i Liverpulit, që është në prag të largimit nga të kuqtë. Për Nunjez ka kohë që interesohet Napoli dhe tashmë kanë nisur bisedimet me agjentët e tij.