Pavarësisht kartonit të kuq të hershëm për Asencio, në fushë nuk pati histori mes Real Madridit dhe Pachuca (3-1, rezultati përfundimtar). Sidoqoftë, vazhdon të bëjë shumë zhurmë ajo që ndodhi mes Rüdiger dhe Cabral.
Pas vërshëllimës finale pati shkëndija sherri mes të dyve dhe arbitri bëri shenjën e X-it, gjestin që aktivizon protokollin kundër racizmit. Mbrojtësi i Realit akuzoi menjëherë lojtarin e Pachuca-s për fyerje raciste. Edhe trajneri i “Los Blancos”, Xabi Alonso, mbështeti versionin e lojtarit të tij në konferencën për shtyp pas ndeshjes. Megjithatë, rrëfimi i Cabral është krejt tjetër.
Argjentinasi, pas ndeshjes, u përgjigj kështu ndaj pyetjeve të gazetarëve: “Frikacak m*ti, këtë i përsërita vazhdimisht. Ishte një debat. Arbitri sinjalizoi racizëm, por nuk ndodhi asgjë. Është një fjalë që e përdorim shumë në Argjentinë (frikacak m*ti). E përsëritja gjithnjë të njëjtën gjë. Nëse doni, shihni pamjet, do të më shikoni që i them vazhdimisht ‘frikacak m*ti, çohu”.
Për më tepër, Cabral pohon se ishte vetë Rüdiger që e kishte kërcënuar: “Më tha: Shihemi jashtë fushe. Po kështu më bënte shenja për t’u zënë. Ishte një debat i nxehtë, po ziheshim edhe në tunel, por nuk shkoi më tej”./telesport/