Deklaratat e brazilianëve që luajnë në Shqipëri kanë qenë në vëmendje të “Yahoo Sports”. Shqipëria thith shumë futbollistë me origjinë nga ky shtet dhe fati i tyre herë është i mirë e herë të tjera përballen me vështirësi të mëdha. Një nga futbollistët që u intervistua ishte Elton Cale.

Sulmuesi anësor i Flamurtarit që pati probleme gjatë fillimit të sezonit me kontratën e pretenduar nga Kukësi. Në fjalën e tij, ai u shfaq shumë i ashpër duke theksuar problemet që ka futbolli në Shqipëri dhe duke prekur ata “plagë” që dhembin. (Lexo këtu)

Fjalët e tij kanë prekur telat dhe te drejtuesit e Flamurtarit që i kanë kërkuar shtatshkurtrit shpejgime nëse ishin të vërteta ose jo. Braziliani duket vetë i habitur dhe ka lëshuar një tjetër deklaratë për faqen zyrtare të klubit ku thekson se përkthimi i gabuar ka ndikuar në acarimin dhe keqinterpretimin e fjalëve të tij.

“Ajo që është shkruar sot, në portale të ndryshme, ku flisja për Federatën Shqiptare të Futbollit nuk është e vërtetë. Unë kam folur për Kukesin, që ka depozituar një kontratë të re dhe nuk e pranova këtë marrëveshje, sepse nuk kam firmosur asgjë me Kukësin. Si lojtar i lirë firmosa një kontratë me Flamurtari F.C.

“Kukësi bëri një kërkesë për të bllokuar këtë marrëveshje, ndërkohë që unë fillova trajnimin me Flamurtarin. Kam thënë se FSHF ka marrëdhënie të mira me Kukësin dhe Flamurtarin, si dhe me ekipet e tjera, pa bërë diferencime me asnjë. Fakti që u gjend një zgjidhje vërteton atë që thashë unë për bashkëpunimin mes palëve. E ndjej të domosdoshme të kerkojë ndjesë publike nëse perkthimi i gabuar ka cënuar dikë”, – shkruhet në deklaratën e tij lëshuar për faqen zyrtare të klubit.