Në një aktivitet promovues për sponsorin e tij, Vinicius Zhunior shpjegoi zhvillimin e tij si lojtar i Realit të Madridit dhe momentet kyçe të karrierës së tij. Anësori brazilian është lideri i ekipit të Ksabi Alonsos në këtë Kupë Bote për Klube, ku të bardhët përballen me Dortmundin sonte në mbrëmje në Nju Xhersi për një vend në gjysmëfinale.

“Gjithmonë e mbaj mend këshillën që më dha Kristiano Ronaldo. Ai gjithmonë më thoshte se të shënoje një gol ishte shumë e lehtë, por unë kurrë nuk e besoja. Por pastaj mendova për këtë dhe kjo më dha qetësi shpirtërore gjatë ndeshjeve. E gjithë përvoja e tij më ndikoi shumë. Ai tha se, në një duel kokë më kokë me portierin, është momenti më i lehtë i ndeshjes”, komentoi anësori i Sao Gonçalo.

“Futbolli më ka dhënë qetësinë shpirtërore për t’i bërë gjërat sipas mënyrës sime. Unë nuk kisha aq shumë para, as prindërit e mi, dhe tani mund të ndihmoj shumë njerëz të marrin një arsim dhe një shkollë më të mirë. Vëllezërit dhe motrat e mia më të vogla kanë qetësinë shpirtërore duke qenë në gjendje të zgjedhin dhe të kenë më shumë mundësi”, tha ai për Fondacionin që mban emrin e tij dhe ndihmon fëmijët në Rio de Zhaneiro, në rrezik përjashtimi social.

KËSHILLAT DHE TIFOZËT – Një nga karakteristikat e brazilianit është se ai shpesh komunikon me tifozët gjatë ndeshjeve. Për këtë shpesh është kritikuar, madje dhe nga vetë shokët e ekipit. Këtë e ka pranuar dhe vetë braziliani. “Shumë gjëra më ndodhin në fushë, por shokët e ekipit dhe trajnerët më kanë siguruar gjithmonë se mund të bëj çmos për t’iu përgjigjur njerëzve që flasin për mua dhe më tregojnë shumë gjëra brenda stadiumit”, tha lojtari i Realit të Madridit.

PËRVOJA – “Kam fituar përvojë përmes ndeshjeve. Arrita në Madrid në një moshë shumë të re dhe jam përshtatur, përmirësuar dhe mësuar nga të gjithë lojtarët e ekipit. Kujtimet e mia të preferuara janë dy golat e mi në finalet e Ligës së Kampioneve dhe debutimi im me Flamengon”, kujtoi Vinicius.