Pas ndërprerjes së boksit me urdhër të shtetit në vitet ’60, ai rifilloi sërish në Shqipëri pas vitit 1990.

Kampionati i parë kombëtar (i 17-ti në total) do të zhvillohej në datat 15-17 tetor në qytetin e Shkodrës, nën kujdesin e firmës italiane të ndërtimeve “Tenaglia”.

Në këtë kampionat kanë marrë pjesë 57 boksierët më të mirë të vendit, përfaqësues të 11 ekipeve.

Në të tre ditët e këtij kampionati, do të ketë ndeshje shumë interesante por vëmendja më e madhe u përqendrua tek finalja e peshës 75 kg në mes Besnik Gjetjes së Vllaznisë dhe Sami Dushkut të ekipit Shqiponja.

Një takim shumë i luftuar dhe që kënaqi pa masë tifozët e shumtë të pranishëm. Boksimi i Gjetjes ka qenë i shkëlqyer dhe të gjithë prisnin fitoren e tij por çuditërisht në fund, gjyqtaria i ka dhënë fitoren 3-2 Dushkut.

Një vendim që ka shkaktuar një reagim të madh tek tifozët por edhe tek specialistët e këtij sporti të cilët mendonin se Gjetja ishte fitues.

Pas përfundimit të ndeshjes, drejtues të Federatës, komiteti drejtues i saj por edhe specialistë të tjerë janë mbledhur dhe kanë analizuar edhe njëherë këtë ndeshje dhe në fund kanë dalë në një përfundim: Kampionë të kësaj peshe janë të dy boksierët!

Në fund të aktivitetit është zhvilluar edhe ceremonia e vlerësimit të më të mirëve.

Kështu, boksieri më teknik është vlerësuar Artan Shahu i ekipit “SK Albania”, ndërsa atë të boksierit më luftarak Besnik Gjetja i Vllaznisë.

Janë vlerësuar për gjykimin e tyre korrekt edhe gjyqtarët e ringut Emin Lishi, Mustafa Hadribeja dhe Ramiz Rraboshta.

Sakaq në renditjen ekipore, Vllaznia u shpall kampione e Shqipërisë. Një vlerësim mëse i drejtë sepse ajo nxorri 7 kampionë si
individë në peshat respektive.

Një sukses ky i merituar i boksierëve por edhe i trajnerëve të tij Zef Gjoni, Kolec Ashiku, Shyqyri Halili dhe Ramiz Halili.

Ekipi i Shqiponjës ndërkohë u vlerësua si më i disiplinuari ndërsa Bujar Orizaj (Tomori) dhe Perlat Velaj (Flamurtari) morën vlerësimet si trajnerët më korrektë të kampionatit.

Organizimi i këtij kampionati të parë të boksit, padyshim që ka patur brenda edhe meritën e Federatës.

Konkretisht e presidentit të saj Ramadan Martini, i sekretarit Skënder Kalenja e po ashtu edhe i anëtarëve të kryesisë.

Duke filluar nga Rexhep Bagoj, Ruzhdi Bekteshi, Bujar Orizaj, Xhevat Muhedini dhe Dhimitraq Stratobërdha.

Kampionët e vitit 1992
48 kg Artur Gavoçi (Vllaznia)

51 kg Rafael Dabërdaku (Vllaznia)

54 kg Ardian Rexhepi (Elbasani)

57 kg Leonidha Yzeiri (Apollonia)

60 kg Besnik Limani (Vllaznia)

63.5 kg Admir Hardolli (Vllaznia)

67 kg Gazmend Muja (Vllaznia)

71 kg Gentian Bal (Sk Albania)

75 kg Besnik Gjetja (Vllaznia)
Sami Dushku (Shqiponja)

81 kg Sokol Buliqi (Vllaznia)

91 kg Asim Hameti (Shqiponja)

+91kg Martin Nika (Shqiponja)

Si ekip: Vllaznia kampione