Vllaznia futsall nuk ia ka dalë të mbrojë titullin kampion. Pasditen e djeshme ajo ka pësuar të vetme humbje në këtë kampionat, por që ka mjaftuar ta nxjerrë jashtë garës për titull. Djemtë kuqeblu kanë pësuar humbje në shifrat e ngushta 0-1 në gjysmëfinalen ndaj Flamurtarit dhe kaq ka mjaftuar që kampionati të mbyllet për ta.
Ndeshja është luajtur në pallatin e sportit “Feti Borova” në kryeqytet dhe është shoqëruar me një rivalitet të fortë. Pjesa e parë, pavarësisht rasteve të krijuara nuk ka dhuruar asnjë gol dhe rezultati i saj ka qenë i njëjtë me atë të fillimit, 0-0.
Në fillimin e së dytës, Leci ka shënuar për vlonjatët të vetmin gol të ndeshjes në minutën e 26-të. Shkodranët u munduan të reagojnë, ushtruan shumë presion, por pa arritur dot të shënojnë golin e barazimit dhe kësisoj e gjithë ndeshje është mbyllur me fitoren e ngushtë të Flamurtarit që kalon në finale.
Në gjysmëfinalen tjetër, Tirana ka fituar pa as më të voglin problem ndaj ekipit të Forcave të Armatosura me rezultatin e thellë 10-2. Tashmë finalja Flamurtari- Tirana do të luhet më 7 qershor në ora 20:00 për të përcaktuar ekipin kampion të sezonit 2025-2026, i cili do të shkurorëzojë Vllazninë që është ende kampion në fuqi i vendit.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


