Nuk do të ndalem kurrsesi (për momentin) të flas për ekipin e parë, se jam koshient që do më hidheni të tërë; kush me inat, kush pa inat, kush me mllef, kush me libër shtëpie, dhe shumica pa argument.
Dua të komplimentoj konfirmimin e Edi Martinit, që mbi të gjitha, edhe pse nuk e solli dot kupën në Shkodër këtë vit, ndezi sërish “flakën” për një mundësi të tillë, duke u përballur tërë sezonin me lloj-lloj problemesh që nuk janë axhendë e punës së një trajneri.
Tani dy fjalë për vajzat!
Kampione, në mos gaboj, për herë të 13-të. E vetmja krenari sportive momentale në Shkodër.
E vetmja skuadër që prodhon tituj.
E vetmja që prodhon imazh ndërkombëtar!
E shumë të tjera…
Duke vazhduar atë që përcolla mbrëmë në ekran, Bashkia Shkodër dhe vetë kryetari Benet Beci nuk mund ta injorojnë këtë fakt, madje duhet ta vlerësojnë maksimalisht, duke i dhënë sado pak suport e mbështetje vajzave kampione.
Me gëzim të madh, legjitim, para disa javësh kryetari Beci njoftoi premion prej 15 milionë lekësh të rinj nëse Vllaznia e meshkujve do të dilte kampione. Dhe shumë mirë bëri.
Tani, e ofroi premion duke menduar se nuk do të dilte kampione, këtë nuk di ta them, por akti ishte për t’u vlerësuar dhe për t’u përshëndetur.
Dolën vajzat e Shkodrës, e vetmja krenari absolute e qytetit tuaj fantastik. Dhe ato meritojnë vëmendje. Shuuuumë!
Jepja atë premio, kryetar Beneti, vajzave, se nuk dëmtohesh fare. Në çdo situatë, vlerësim e respekt është. Nuk besoj se do të të kundërshtojë kush në KB (Këshillin Bashkiak) për këtë gjë. Përkundrazi. Jepja, se janë e vetmja krenari shkodrane me trofe për momentin anembanë botës, për çdo shkodran. Nuk e morën meshkujt, e morën femrat.
Jepe atë premio.
Jo sepse e them unë, por si qytetari i parë i Shkodrës ke obligimin absolut t’i japësh vëmendje e respekt këtij ekipi që prodhon trofe dhe sjell pa fund gëzim te tifozëria që është e “djegur” kaq e kaq vite për titullin e meshkujve.
Jepja, o kryetar, atë premio vajzave, se është akt fisnikërie për një fakt të ndodhur. Meqë e bëre lëvizjen tënde për të mbështetur ekipin e parë të meshkujve, pse i lë në qoshen e vetmuar vajzat? Ato sollën një tjetër trofe për qytetin që ju drejtoni.
Kalojani atyre atë premio, sepse e meritojnë shumë e më shumë sesa meritojnë vëmendjen e shkodranëve tanë klasa politike në Shkodër, të majtë e të djathtë bashkë.
Unë nuk po i bëj fresk president Lazrit në këtë rast, por po i transmetoj kryetarit fisnik të mos e “injorojë” suksesin e vajzave, por ta mbështesë atë. Sepse mundet dhe nuk besoj kurrsesi që nuk do.
Dhe kam përshtypjen që edhe kolegët e mi në Shkodër duhet patjetër ta sjellin në vëmendje këtë gjë fare të thjeshtë, por shumë fisnike, për ekipin që nuk prodhon zhgënjim, por trofe. Për vite e vite, e kush e di sa vite të tjera…
Kryetar!
Thjesht, premion për vajzat e ke vetëm një asist: nga Balaj te Doci. Asgjë më shumë. Nuk të varfëron aspak kjo gjë. Përkundrazi, të fisnikëron shumë e më shumë! Nëse s’e bën, s’kam ç’të them. Ti je shteti, por unë jam fjala. Keq apo mirë.
Por vëmendja juaj për këtë grup vajzash është shumë më tepër se një mandat…


