Trajneri italian i Olympique Marseille, Roberto De Zerbi, ka folur pa doreza në një intervistë për podcastin “Supernova” të Alessandro Cattelan. Në një bisedë të gjatë dhe të sinqertë, ai kritikoi ashpër qëndrimin e medieve dhe opinionit sportiv italian ndaj futbollit ndërkombëtar, dhe sidomos ndaj PSG-së e kampionatit francez, që sipas tij shpërfillet pa të drejtë.
“Në Itali ka shumë presion dhe pak dije reale për futbollin europian. Nuk dinin as si PSG e fillon ndeshjen si në rugby, apo që Dembélé qëndron gjithmonë në pritje në kufi të zonës. Nuk njihnin Doué-në, një talent si Yamal, as Vitinha-n, që sot mund të jetë mesfushori më i fortë në botë”, – tha ai.
De Zerbi u shpreh i zhgënjyer edhe për mosvlerësimin e arritjeve të Marseille, që përfundoi e dyta në Ligue 1: “Asnjë rresht nuk u shkrua në Itali për këtë sukses. E trajtojnë Ligue 1 si kampionat të dorës së dytë, kur në fakt është shumë konkurrues. Lille ishte në 1/8 e Champions-it, Brest u ndal vetëm nga PSG, ndërsa Monaco fitoi me Barcelonën dhe u ndëshkua kundër Interit për shkak të një kartoni të kuq herët”.
Në lidhje me zërat për një kalim të mundshëm tek Interi, ai tha prerë: “Nuk kam folur kurrë me Interin. Jam i përkushtuar ndaj Marsejës dhe kur marr një angazhim, e çoj deri në fund. Nëse nuk ndiej respekt e ndershmëri, largohem vetë”.
Më tej, ai foli me shqetësim për rënien e Kombëtares italiane: “Më dhemb të shoh Italinë në këtë gjendje. Nuk kemi më kampionët e dikurshëm si Totti, Del Piero, Inzaghi apo Montella. Sot na mungon cilësia. Ka vetëm 4-5 lojtarë të mirë si Bastoni, Barella, Tonali apo Locatelli. Ndërsa vende si Franca apo Spanja po prodhojnë brez pas brezi talente”.
Sipas tij, problemi nuk qëndron te trajnerët, por te mungesa e lojtarëve cilësorë: “Nuk është më çështje strategjie, por materiali. Sot Italia nuk ka lojtarë si Haaland, Odegaard apo Nusa. Është koha të bëjmë një reflektim të thellë”.