Dinamo në volejboll për femra e ka marrë shumë seriozisht ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri dhe me shumë mundësi do të jetë një nga pretendentet kryesor për fitimin e titullit kampion. Në sezonin që sapo përfundoi, ajo promovoi disa lojtare të reja, por në sezonin e ardhshëm duket se pretendimet do të jenë krejt të tjera.

Kjo duket qartë nga merkatoja që drejtuesit e saj janë duke zhvilluar ditët e fundit. Ato kanë arritur të firmosin me disa nga lojtaret më të mira të kampionatit shqiptar. Fillimisht bënë pjesë të tyre trajnerin Orlando Koja që vjen pas eksperiencës fantastike që kaloi tek Skënderbeu. Më pas firmosën me ish- kapitenin e ekipit korçar Elena Bego, për të vijuar me Xhenifer Pirën.

Ndërkohë sot ka qenë rradha e volejbollistes shkodrane Stela Kiri për të hedhur firmë tek skuadra e Dinamos. Trajneri Koja ka insistuar për ta patur në dispozicion dhe drejtuesit kanë arritur ta bindin atë për t’iu bashkuar këtij projekti.

Volejbollistja e formuar tek Vllaznia, gjatë viteve të fundit ka luajtur edhe me ekipet e Skënderbeut, Tiranës dhe së fundi me Partizanin ndërsa nga sot do të jetë pjesë e një tjetër ekipi kryeqytetas- Dinamos.

Stela Kiri është një lojtare me eksperiencë dhe njëkohësisht një nga liberot më të mira të kampionatit. Prandaj dhe trajneri Koja ka insistuar për ta patur tek Dinamo dhe tashmë kjo gjë është bërë realitet sot me hedhjen e firmës në kontratë. Tek Dinamo, ajo gjen një tjetër volejbolliste shkodrane, pikërisht Paolo Gjyshjen.(www.shkodrasport.com)