Enkelejd Dobi ka qenë i gëzuar për fitoren e Teutës që drejton ndaj Dinamos, por ka theksuar se ekipi vazhdon rritjen dhe nuk është ende në nivelet që pritet prej tij.
“Shpirtin e garës, e kemi shkruar edhe te tabela, se luajmë çdo tre ditë. Jemi në proces, edhe me lojtarët kemi 3 javë që jemi bashkë të gjithë dhe punojmë çdo ditë. Por është shpirti i garës sot, mënyra, dëshira, angazhimi, ishin maksimale ndaj edhe rezultati është i tillë, sepse kështu është jeta, kështu është futbolli.
Ne me gjithë projektin që kemi do presim, është proces. Jam i gëzuar, i lumtur do jem nëse do të fitojmë kampionatin apo luajmë në Ligën e Kampioneve. I dimë vlerat, është e vështirë të luash me 10 kundër 11, kur je në proces e luan ndaj Dinamos që është kandidati numër 1 për titullin kampion. Ne jemi akoma në rritje, i dimë vlerat e mangësitë, e dimë ku jemi e ku duhet të jemi. Por nuk mund ta shohësh ende lojën e konceptin për 10-15 minuta, aq më tepër kur luajtëm të dielën e përsëri të mërkurën. Nuk jemi nga ekipet e mëdha që të luajmë çdo tre ditë që të kemi kontingjent lojtarësh e cilësie, duhet ta pranojmë këtë. Por atë që tregoi ekipi, ndoshta është karakteri dhe personaliteti që dua dhe kërkoj nga ekipi që të shprehë, që tifozët të shprehen e të jenë krenarë për çfarë transmeton ekipi në fushë.
Ne trajnerët duhet të përshtatemi me kundërshtarët që janë. Nuk mund të thuash unë shoh vetëm vetën time, por edhe pikat e forta të kundërshtarit, të minimizosh dhe aty ta godasësh. Kishim mendim ndryshe nga Vora dhe Partizani, por po rritemi. Është proces, nuk ka modesti, është realiteti. Kemi tre javë bashkë, lojtarët nuk kanë ardhur që në fillim dhe 100%. Të gjithë jemi të rinj, nga presidenca, te trajneri e ekipi. Nëse do ta shohim ekipin, janë 8 lojtarë të rinj në formacion nga viti i kaluar, nuk është e thjeshtë. Por ashtu si e transmeton ekipi, si i ka thithur mendimet, unë jam shumë i kënaqur për kohën e shkurtër të punës. Shpresojmë që të kemi fatin me vete që çunat i mbajnë këto ide e koncepte, me kalimin e kohës do të shohim një ekip prestigjioz.
Udhëzimet ishin të mos lejonim topin vertikal, se e dinim që i kërkon Dinamo dhe është pikë e fortë ndaj u lamë krahët. Por edhe automatizmi nuk është në nivelin që kërkojmë ende.
E shohim kundërshtarin, i përshtatemi me pikat e forta, me vlerat që mund të godasë dhe mund t’ia minimizojmë. Nuk ia eliminojmë se të gjithë e dinë si luan Barcelona po prapë Jamal bën gol. Ne mundohemi të minimizojmë që këto pika të forta të mos jenë aq të forta dhe të godasim te pikat e dobëta se çdo ekip ka pikat e mira dhe të këqija”, tha Dobi për RTSH pas ndeshjes.