Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinoviç, ka deklaruar se ekipi i tij kishte shumë gjëra për të rregulluar në ndeshjet e ardhshme. Megjithatë, ai vlerësoi një barazim përballë Dinamos për mënyrën se si kishte ardhur ai.
“Pajtohem me të gjitha që ishte ndeshje interesante, me shumë emocione dhe me katër gola.
Ndeshja sjell situata të tilla, është mëse e qartë që ekipi ynë është shumë i ri. Jo vetëm për situatën që konkretizoi Dinamo në gol, në pjesën e dytë dhe do të veçoja edhe disa minuta në të parën. Ne na mungon pak eksperienca për të kontrolluar gjërat. Normalisht këto janë situata që i bie loja e futbollit. Kishim pjesë të mira në pjesën e parë që i dominuam, ndoshta nuk u përgjigjëm mirë në pjesën e dytë. Normalisht pasi shënuam të dytin mund dhe duhej të reagonim më me përvojë në minutat që kishin mbetur. Duhet ta theksoj se kishim mundësi që goditëm shtyllën, kishin edhe ata rastet e tyre dhe nëse e shohim në kompleksitet, barazimi është rezultati më real.
Mungesë përqendrimi? Normalisht pas ndeshjes mund të diskutojmë, por jemi me kokën e nxehte, do duhej pak kohë për të marrë përfundimin e saj. Por duke filluar duke e gjetur gabimin që nga vetja.
Ndeshja të tregon vetë në disa situata si të reagosh. Duke bërë një shkëputje, dua të falënderoj lojtarët për mundin dhe tifozët për gjatë 90 minutave.
Përgatitja jonë ishte të fitonim ndeshjen por duke parë si shkoi ndeshja, duke pasur parasysh që ishim në disavantazh, isha i kënaqur. Jo plotësisht, se pas golit të tyre nuk u dukëm si ekip. Dhe në pjesën e dytë ka shumë situata që duhet të punojmë më mirë sa i përket të gjitha aspekteve të lojës. Dhe pastaj udhëhoqëm 2-1 në fundin e ndeshjes dhe besoj se duhej ta ruanim. Por ndodhi ajo situata e Dinamos dhe rrjedhimisht i bie që barazimi është rezultati më i drejtë”, tha Veselinoviç për RTSH pas ndeshjes.