Janë ditë feste në Shkodër sepse festohet 100 vjetori i krijimit të klubit Vllaznia. I këtij klubi i cili ka shkruar historinë e sportit shqiptar me trofetë e shumta, me sportistët e mëdhenj që ka nxjerrë. Dhe kuptohet kjo nuk ka ndodhur në vetëm një apo dy sporte.

Shkodra ka një cilësi të jashtëzakonshme sepse në çdo sport ka nxjerrë kampionë të mëdhenj. Mjafton të shohim foton e këtij shkrimi dhe e kupton qartë se çfarë kampionësh ka nxjerrë edhe në sportin e mundjes.

E shkëputëm këtë foto nga albumi i shumtë i sukseseve që ka patur ky sport sepse ka një të veçantë. Në të janë katër sportistë të cilët i kanë dhuruar Vllaznisë plot 18 tituj kampionë. Mes tyre është “rekordmeni” i titujve Rrok Bardeli i cili është shpallur 10 herë kampion i vendit në vitet 1978, 1979, 1981, 1982, 1983, 1984, 1985, 1986, 1987 dhe 1988.

Po ashtu është Tonin Dema 4 herë kampion në vitet 1976, 1977, 1980 dhe 1983. Aty është edhe Luigj Zefi dy herë kampion në vitet 1980 dhe 1981 dhe i fundit, Isa Vejuka, edhe dy herë kampion i vendit në vitet 1975 dhe 1979.

Këta katër që rastisën në këtë foto sëbashku janë një pjesë e kampionëve të mëdhenj që nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Eljaz Ahmeti i kanë dhënë Vllaznisë shumë tituj kampionë dhe Kupa të Republikës duke e bërë këtë ekip më të suksesshmin në historinë e këtij sporti dhe duke konkurruar denjësisht me ekipe të tjera si Dinamo etj.
Gjergj KOLA