Siç është bërë e ditur, shorti i turit të dytë të “UEFA Women’s Europa Cup” e ka vënë Vllazninë e femrave përballë një emri të madh të futbollit europian e botëror siç është Interi. Ndërkohë tashmë janë zyrtarizuar edhe detajet e përballjes së parë që do të luhet në Milano.
Ekipi italian ka caktuar datën 8 tetor për luajtjen e këtij takimi, ndërkohë që ora kur do të nisë ai është 18:00. Gjithashtu është zyrtarizuar edhe fusha se ku do të luhet kjo ndeshje. Inter ka zgjedhur Qendrën e Trajnimit dhe Zhvillimit të të Rinjve për të pritur ekipin e Vllaznisë.
Në pamje të parë, italianët janë favoritë për kalimin e turit, megjithatë Vllaznia është duke u përgatitur për të tentuar surprizën. Skuadra shkodrane po e analizon me sukses kundërshtarin dhe do të tentojë të bëjë një paraqitje sa më të mirë në ndeshjen e parë që do të luhet pra të enjten e datës 8 tetor në Milano.
Një javë më pas ajo do të presë në stadiumin “Loro Boriçi” ekipin e njohur italian, me shpresën se rezultati i ndeshjes së parë do ia lërë të hapur mundësinë e kualifikimit dhe me ndihmën e tifozëve do ta tentojë atë.
Por të mos harrojmë se përballë do të ketë një skuadër si Interi, e cila në rradhët e saj jo vetëm ka disa nga lojtaret më cilësore italiane, por ka edhe 13 lojtare të huaja të cilat e kanë rritur ndjeshëm forcën e skuadrës.(www.shkodrasport.com)