Dje skadoi afati për marrjen në administrim të ekipit të Tërbunit, i cili u vendos në ankand me shpresën se do të tërhiqte vëmendjen e ndonjë investitori.

Megjithatë, asnjë prej biznesmenëve pukjanë, pavarësisht thirrjeve të herëpashershme, nuk ka shprehur interes për të marrë përsipër drejtimin dhe mbështetjen e klubit.

Kryetari i Bashkisë Pukë, Rrok Doda, i cili është njëherësh edhe president i klubit, ka theksuar se çdo biznesmen që jeton apo punon jashtë rrethit ka qenë i mirëpritur, por deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim pozitiv.

Me mungesën e një investitori privat, e ardhmja e Terbunit mbetet sërish në duart e Bashkisë, e cila do të vijojë të investojë në ekip për sezonin e ri futbollistik.

Fakti që askush nuk ka shprehur dëshirën për të blerë këtë klub, ndonëse vlera e tij është shumë e vogël, tregon më së miri për faktin që biznesmenët e shohin pa asnjë pikë interes investimin në futboll, me ligjet aktuale që ekzistojnë në vendin tonë. Prandaj dhe tashmë mbetet për t’u parë se si do të funksionojë Tërbuni ngaqë Bashkisë me ligj i ndalohet financimi i tij.