Ka qenë ndoshta në dyshim për të vazhduar të luajë sërish futboll, apo “t’i varë këpucët në gozhdë”? Në fund ka triumfuar dashuria e tij për lojën magjike dhe sportin të cilit ai i ka kushtuar vitet më të bukura të rinisë së tij. E kemi fjalën për ish- futbollistin e Vllaznisë Florind Bardulla.
33 vjeçari ka vendosur që të vazhdojë të luajë sërish futboll dhe madje ka zgjedhur edhe skuadrën e tij të re. Bëhet fjalë për KF Shiroka. Mesfushori me shumë përvojë i është përgjigjur pozitivisht ftesës së drejtuesve të këtij ekipi për t’u bërë pjesë e tyre dhe prej pak ditësh ai ka nisur stërvitjen me ta.
Padyshim që rreshtimi edhe i Bardullës tashmë përkrah disa emrave të tjerë me përvojë që kanë vendosur të luajnë këtë sezon me KF Shiroka, është një lajm i mirë sepse me përvojën e tij ai do ta ndihmojë jo pak këtë skuadër e cila siç është bërë e ditur do të marrë pjesë në kategorinë e dytë të futbollit shqiptar.
Bardulla gjatë karrierës së tij pjesën më të madhe ka veshur fanellën e Vllaznisë, por më pas ka luajtur me disa skuadra të tjera dhe së fundi ka qenë pjesë e Besëlidhjes së Lezhës, ndërsa tani është kthyer në shtëpi, por këtë herë për një tjetër ekip shkodran- KF Shirokën.
Kjo e fundit pavarësisht se u ndërtua për kategorinë e tretë, me përbërjen që ka në organikë do të tentojë të jetë në mes ekipeve më të mira të kampionatit dhe këtë do të kërkojë ta tregojë që në ndeshjen e parë, atë ndaj Luzit që do të luhet ditën e shtunë në ora 14:00 në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës.