Mesditen e sotme është hedhur në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” shorti i fazës “Final 4” në kampionatin “Abissnet Superiore”, teksa përballë janë vendosur Egnatia – Partizani dhe Vllaznia – Dinamo City.
Në shortin e organizuar nga Federata e Futbollit morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, presidentë dhe përfaqësues të klubeve të kualifikuara në “Final Four”, si edhe përfaqësues të medias.
Ndeshja e parë gjysmëfinale, Vllaznia – Dinamo City, do të luhet të dielën, më 4 maj, në orën 20:00. Ndërsa gjysmëfinalja e dytë, Egnatia – Partizani do të zhvillohet të hënën, më 5 maj, në orën 20:00.
Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Ekipet fituese kalojnë në finalen për titullin kampion. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë, në këtë rast Egnatia dhe Vllaznia.
Të gjitha ndeshjet e fazës “Final 4” do të luhen në stadiumin “Arena Kombëtare”.