Skuadra e Valbonës, që vetëm pak kohë më parë u rikthye në Kategorinë e Parë pas 21 vitesh mungesë, sot ndodhet në prag të shkrirjes. Sezoni i kaluar, i nisur me shpresa dhe me një skuadër të ndërtuar mirë nga ish-drejtori sportiv Emiljano Gega, përfundoi në mënyrë dramatike për tropojanët.
Valbona, që erdhi si kampione e Kategorisë së Dytë, tregoi se dinte të konkurronte denjësisht edhe me pretendentët më të fortë. Kujtohet ndeshja ndaj Vorës, ku pas vetëm 30 minutash lojë tropojanët kryesonin 3-0, duke dhuruar spektakël të vërtetë. Apo fitorja e thellë 3-0 ndaj Kastriotit, që i dha besim tifozëve se skuadra mund të bënte një sezon të qëndrueshëm. Por problemet financiare e rrëzuan gjithçka.
Presidenca nuk arriti të mbulonte pagat e lojtarëve dhe si pasojë, 10 futbollistë kryesorë u larguan. Ndeshjet e fundit të sezonit u luajtën me vështirësi të mëdha, shpeshherë me vetëm 11 lojtarë në dispozicion dhe pa asnjë rezervë në stol. Pas rënies sërish në Kategorinë e Dytë, situata ka shkuar drejt kolapsit total.
Vetëm dy ditë para fillimit të kampionatit, Valbona nuk ka ende një skuadër funksionale. Bashkia e Tropojës po kërkon një administrator që të marrë përsipër ekipin, por askush nuk pranon pa pasur garanci financiare, duke qenë se edhe sezonin e shkuar lojtarët mbetën pa u paguar dhe ekipi braktisi katër ndeshjet e fundit. Ky nuk është rasti i parë.
Në sezonin 2021-22, Valbona ndërpreu pjesëmarrjen në kampionat dhe ra në Kategorinë e Tretë. Sot historia rrezikon të përsëritet, aq më shumë që edhe FIFA u ka bllokuar merkaon për detyrimet e pashlyera. Nëse nuk gjendet një zgjidhje emergjente, gjasat janë që Valbona të mos marrë pjesë fare në sezonin e ri futbollistik, ku sipas kalendarit duhet të luante ndeshjen e parë në Kuçovë kundër Naftëtarit. Një goditje e rëndë për futbollin e Tropojës, që rrezikon të mbetet edhe një herë pa ekip në garat kombëtare.