Deshtimi ne perpjekjet per t’u ngjitur ne kategorine e pare ka bere qe tek Terbuni te kete levitje. Pankina e kesaj skuadre tashme ka mbetur bosh sepse konfirmohet largimi nga drejtimi i saj i trajnerit Sinan Bardhi. Nje gje te tille ai e ka bere te ditur vete ne nje prononcim te dhene per median e shkruar.
“Prej 22 muajve kam drejtuar Tërbunin. Edhe pse punuam të gjithë bashkë me përkushtim, nuk ia dolëm të ngjitemi në të Parën. Më vjen keq që Tërbuni edhe në sezonin 2025-2026 do të luajë në Kategorinë e Dytë. Si ne drejtuesit, ashtu edhe lojtarët kemi përgjegjësi që nuk arritëm ta rikthenim Tërbunin aty ku i takon.
Edhe për hatër të tifozërisë së mrekullueshme pukjane, Tërbuni meriton të jetë në Kategorinë e Parë. Largimi nga drejtimi i Tërbunit ishte vendimi im. Dua të falënderoj kryetarin e Bashkisë Pukë dhe njëherësh president i ekipit, Rrok Dodaj, si dhe drejtorin teknik Alfred Pjetri, shefin e klubit Bujar Mehaj, për gjetjen e gjuhës së përbashkët në të mirë të ekipit.
Unë si trajner i këtij ekipi jam munduar të jap çdo gjë nga vetja, për të stërvitur sa më mirë lojtarët, por me sa duket edhe fati nuk ishte në anën tonë. Lamë pikë të patolerueshme në fushën tonë. Nuk e kisha menduar kurrë që Tërbuni, për tri sezone radhazi, do të luajë në Kategorinë e Dytë. Nuk i takon pukjanëve të konkurrojnë në këtë nivel.
Uroj që ndonjë sponsor i fuqishëm të angazhohet për të nxjerrë ekipin nga kjo gjendje. Jo se i ka munguar ana financiare Tërbunit, sepse Rrok Dodaj nuk ka kursyer asgjë, por është e vështirë ta mbash një ekip i vetëm. Ndaj, me gjithë zemër i uroj suksese Tërbunit në vazhdim”, u shpreh trajneri Bardhi.