Lushnja nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ditën e djeshme ndaj Vorës në shtëpi. Skuadra lagunare renditet në vendin e 13-të dhe rrezikon qendrimin në Kategorinë e Parë. Pas ndeshjes së djeshme, trajneri Ilir Gjyla ka shpërthyer ndaj lojtarëve të tij, aq sa i ka quajtur injorantë.

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, Gjyla është shprehur se lojtarët jo vetëm që nuk dijnë të luajnë, por nuk e çajnë kokën as për rezultatet.

“Vetëm barazim, se nuk mund të fitosh dot vetëm duke thënë do të fitojmë. Fitohet duke luajtur, duke vepruar. E di që shpeshherë thoni që profesori është i batutave. Këtë nuk po e them për batutë. Me keqardhje e them, por kam skuadër me injorantë.

Mungesat e shumta që kisha, Mone, Zani apo ndonjë tjetër, na bënë që të luanin injorantë në fushë. Megjithatë, them që u munduam, u përpoqëm, por ky është niveli. Këta futbollistë, që luajtën sot (dje), këtë nivel kanë, sapo vjen dhe po bindemi për këtë. I thuaj Bashës çfarë të duash, po ai është. I thuaj dil, ai ikën prapa.

Nuk ka nivel, nuk ka fuqi. Nuk ka horizont, nuk di ku vendoset. Është një barazim, që unë e quaj humbje dhe na ndërlikon shumë. Tri pikë të munguara që na kushtojnë shumë. Përmenda një lojtar, por komplet ekipi lë për të dëshiruar. Ajo që nuk më pëlqeu, m’u duk si një lodhje fizike. Nuk e di ku u lodhën dhe çfarë bënë.

Nga ajo që na mungojnë disa lojtarë, që janë të dëmtuar, na hyjnë lojtarë, që jo vetëm nuk kanë cilësi dhe aftësi, fizike, teknike apo aftësi për të luajtur. Por, nuk e çajnë edhe kokën për humbjen apo për barazimin. Kjo është ajo që të shqetëson më shumë”, u shpreh Gjyla./newsport/