HomeFUTBOLLFUTBOLLI I FEMRAVEE VEÇANTË/ Ukrainasit e Kolos letër falenderimi Vllaznisë: Mirënjohës për mikpritjen tuaj!...

E VEÇANTË/ Ukrainasit e Kolos letër falenderimi Vllaznisë: Mirënjohës për mikpritjen tuaj! Do ta kujtojmë këtë udhëtim në Shqipëri me ngrohtësi në zemrat tona

Muajin e kaluar në Shkodër u luajtën të dy ndeshjet e turit të parë të “UEFA Women’s Europa Cup” në mes Vllaznisë dhe ekipit ukrainas Kolos Kovalivka. Drejtuesit e këtij të fundit pranuan kërkesën e shkodranëve për t’i luajtur të dy ndeshjet në “Loro Boriçi” ngaqë siç dihet, ekipet ukrainasve nuk mund të luajnë në vendin e tyre për shkak të situatës së krijuar me Rusinë.

Vllaznia i fitoi të dy ndeshjet duke u kualifikuar për në turin e dytë teksa tashmë do të ndeshen me Inter, por nga ana tjetër ukrainaset u kthyen në vendin e tyre me përshtypjet më të mira për mikëpritjen shqiptare. Jo më kot, ditën e sotme drejtori i përgjithshëm i klubit Kolos Yevhenni Yevseiev ka dërguar në zyrat e klubit shkodran një letër falenderimi në të cilën shkruan:

“I nderuar Z. Lazer!

FC “KOLOS” Kovalivka ju drejtohet personalisht dhe në personin tuaj të gjithë menaxhmentit të klubit tuaj me fjalë respekti dhe mirënjohjeje. Ne i vlerësuam sinqerisht përpjekjet tuaja në organizimin e ndeshjeve për ekipet e femrave të klubeve tona në Shkodër, të cilat u zhvilluan në një nivel të lartë organizativ, në konkurrencë pa kompromis dhe në një atmosferë miqësore.

Duke u gjendur në rrethana të vështira të lidhura me agresionin ushtarak të Rusisë dhe si rezultat – pamundësinë e zhvillimit të ndeshjeve në shtëpi në Ukrainë – e ndiem plotësisht kujdesin dhe mbështetjen tuaj. Futbolli bashkon – klubi juaj e demonstroi këtë moto jo me fjalë, por me vepra, kur e kuptoi situatën tonë dhe ofroi ndihmën e tij në zhvillimin e ndeshjeve.

I gjithë klubi ynë – menaxhmenti, administrata dhe lojtarët – ju jemi mirënjohës për mikpritjen, mirësinë dhe kujdesin tuaj dhe do ta kujtojmë këtë udhëtim në Shqipëri me ngrohtësi në zemrat tona. Edhe një herë, shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë të madhe për ju dhe i urojmë ekipit tuaj fitore të reja të ndritshme dhe arritjet më të larta!

Me respekt, Drejtor i Përgjithshëm Yevhenni Yevseiev”.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments