Nga Maringlen ZHIVANI

Tërbuni ka bërë goditjen e parë në merkato. Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, klubi pukjan ka firmosur me mesfushorin 29-vjeçar Dejan Andoni.

Ish-lojtari i Korabit, Apolonisë dhe Lushnjës është një mesfushor qendre, por mund të luajë edhe si qendërmbrojtës, duke i dhënë më shumë alternativa trajnerit Anxhelo Suta për sezonin e ri.

Në këtë fazë përgatitore, te skuadra pukjane vihet re një dyndje e madhe lojtarësh, ku një pjesë e mirë janë nga Amerika Latine. Këta futbollistë janë në provë dhe do të vijojnë të testohen, ndërsa priten të mbërrijnë edhe të tjerë, derisa stafi teknik me në krye trajnerin Anxhelo Suta të përzgjedhë elementët më cilësorë.


Paralelisht, drejtuesit e klubit janë në bisedime me tre futbollistë të Kategorisë së Parë, të cilët mund t’i bashkohen skuadrës në ditët në vijim, duke forcuar më tej organikën me synimin e qartë për ngjitjen.(www.shkodrasport.com)