Basketbolli shkodran në vitet ’80 ndonëse ka fituar jo shumë trofe, sërish u ka dhuruar shumë emocione jo vetëm tifozëve të Vllaznisë por edhe më gjerë. Mënyra si luanin në fushë, veprimet spektakolare të basketbollistëve të saj, i bënë për vete të gjithë. Dhe një emër që spikaste padyshim që ka qenë ai i Mikel Gjonit.

Një nga më të shquarit e atyre viteve, por që për fat të keq gjatë gjithë kësaj periudhe, është folur pak ose aspak për të. Ndoshta ngaqë prej 28 vitesh jeton larg Shqipërisë, por gjithsesi emri dhe karriera e tij kurrsesi nuk mund të anashkalohen.

Karriera
Ka lindur në Shkodër më 26 korrik 1963 dhe me basketbollin do të nisë të lidhet shumë shpejt. “Kam filluar të luajë fillimisht në shtëpinë e pionerit ku trajner kisha Mihal Taçin, të vëllanë e basketbollistit të njohur Dhimitër Taqi. Pas dy viteve aty, kam kaluar tek ekipi i paratërinjve ku trajner kam patur Rajmond Rashën.

Më pas me të rinjtë ku fillimisht kam patur trajner Bujar Golemin dhe më pas erdhi Petrit Osmani. Ky i fundit mori drejtimin e ekipit të të rritur dhe në vitin 1980 kam kaluar me të aty, kur unë isha ende pa mbushur 17 vjeç”- tregon për “Shkodra Sport” ish- basketbollisti i njohur i Vllaznisë Mikel Gjoni.


Tek ekipi i parë në ato vite luanin basketbollistë si Refik Vorfa, Zef Gjoni, Lorenc Mosi, Dhimitër Taçi, Hydajet Kotrri etj. Ndërkohë erdhi brezi i ri më pas me Mikel Gjonin, Sokol Kalajn, Korab Llazanin, Marin Shestanin, Astrit Zaganjorin, Agustin Miculin, Bledar Gjeçajn, Altin Shatkun, Beniamin Idrizin etj.

Mikel Gjoni ka dhënë kontributin e tij në fitoren e Kupës së Republikës në vitin 1985 dhe të titullit kampion të Vllaznisë në sezonin 1989-90.

Kombëtarja
Si një nga elementët më të spikatur të basketbollit shqiptar të atyre viteve ka luajtur edhe disa ndeshje ndërkombëtare. Një ndër to ka qenë ajo ndaj Gallatasarajt e vlefshme për Kupat e Europës, menjëherë pas shpalljes kampion të Vllaznisë nv vitin 1990. Ndërkohë, ndeshje me ekipin kombëtar ka luajtur shumë pak dhe sidomos jashtë vendit, ato kanë qenë me “pikatore”.

“Sa i takon ndeshjeve me ekipin kombëtar, nuk kam luajtur shumë dhe arsyeja ka qenë “biografia e keqe”. Madje jo vetëm unë por edhe Sokol Kalaj e kemi vuajtur këtë gjë. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur jemi grumbulluar me ekipin kombëtar dhe kur vinte puna për të ikur jashtë shtetit për të luajtur, ktheheshim në shtëpi sepse nuk na lejonin ta bënim këtë gjë.

Ajo që dua të them është se nuk kemi patur mbështetjen e duhur. Edhe tek Partizani e Dinamo kishte lojtarë me “biografi të keqe” por kur ftoheshin në kombëtare, trajnerët e tyre Astrit Greva, Arben Fagu etj, hynin garant tek institucionet shtetërore për ta dhe lejoheshin të dilnin edhe jashtë shtetit. Ndërsa për ne shkodranët nuk kishte njeri të dilte garant.

Dhe prandaj e kemi vuajtur shumë këtë gjë. Mbaj mend se kam luajtur në Shkup një ndeshje dhe po ashtu edhe ndonjë tjetër dhe kaq. Nuk na lejuan më shumë. Ky është një “peng” i madh i karrierës time”- thotë në vazhdim të prononcimit të tij për “Shkodra Sport” ish- basketbollisti i shquar i Vllaznisë Mikel Gjoni.

Vlerësimi
Një ndër kolegët e Gjonit ka qenë edhe Astrit Zaganjori. Pak më i ri në mosh, megjithatë për disa vite ka luajtur përkrah tij dhe prandaj inspektori aktual i Sportklub Vllaznia është në gjendje të japë një vlerësim për të. “Mikeli ka qenë një nga liderat e ekipit në ato vite. Një lojtar anësor shumë energjik dhe shumë i përgatitur në fushën e stërvitjes dhe atë të lojës.

Po ashtu, edhe një pikëshënues shumë i mirë ku spikaste sidomos me gjuajtjet për trepikësh. Një sportist shumë i mirë i atyre viteve që në fakt nuk ka marrë vlerësimet e duhura nga institucionet përkatëse. Jam i lumtur që kam luajtur përkrah tij dhe kam përfituar jo pak nga Mikel Gjoni”- shprehet Zaganjori.

Fundi i karrierës
Ka luajtur me Vllazninë deri në fundin e vitit 1990 dhe në fillimin e vitit 1991 me lëvizjet e para të shqiptarëve drejt Europës, edhe Mikeli zgjodhi të emigronte. Fillimish në Itali dhe më pas ka kaluar në Zvicër, shtet ku jeton edhe sot e kësaj dite.

Kuptohet larg sportit dhe larg basketbollit, por gjithsesi shpeshherë mendja i shkon sërish aty. “Jam i lumtur për atë që i kam dhënë Vllaznisë dhe basketbollit shkodran, kjo ka rëndësi për mua. Nuk ka rëndësi sa kam përfituar prej saj.

E rëndësishme është që njerëzit më respektojnë ende edhe sot e kësaj dite duke më bërë të ndihem mirë që unë dhe shokët e mi u kemi dhuruar shumë emocione, u kemi lehtësuar në njëfarë mënyre vuajtjet që kishin në ato vite”- shprehet në fund të prononcimit të tij për “Shkodra Sport” ish- basketbollisti i Vllaznisë Mikel Gjoni.
Gjergj KOLA

Mikel Gjoni (me numrin 8) në fanellë gjatë një aksioni