Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia po vijon stërvitjet çdo ditë për t’u përgatitur për ndeshjet e Conference League. Për këtë arsye, stafi teknik, me në krye trajnerin Edi Martini ka programuar edhe disa ndeshje miqësore. E para do të luhet mbrëmjen e nesërme në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj ekipit të “Vllaznia Elite”.
Ndërkohë, e dyta do të luhet ndaj Deçiçit. Në fakt, kjo miqësore ishte programuar për t’u luajtur në Shkodër, por nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport” nuk do të ndodhë një gjë e tillë. Arsyeja është për shkak se stadiumi “Loro Boriçi” do të jetë i zënë me një aktivitet artistiko-kulturor, pikërisht me koncertin recital të Bujar Qamilit.
Një përplasje disi e pakuptimtë por duket se ata që i kanë dhënë lejen këngëtarit të njohur, nuk kanë rakorduar me drejtuesit e Vllaznisë dhe si rrjedhojë ka ndodhur që të dy aktivitetet të jenë në të njëjtën datë.
Ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë saktësisht, por me shumë mundësi takimi miqësor përballë Deçiçit, do të zhvillohet të shtunën e ardhshme në stadiumin e qytetit të Tuzit.
Në këto dy përballje miqësore, stafi teknik i ekipit shkodran kuptohet që do të mundohet të hedhë në fushë formacionin, me të cilin do të përballet në ndeshjet e Conference League. Natyrisht që, këto miqësore priten me interes për të parë edhe afrimet e fundit të Vllaznisë dhe skemën e vendosjes së skuadrës në fushë.
Miqësorja me Deçiç mbase mund të jetë testi më serioz që do të tregojë edhe gjendjen aktuale të kuqebluve në prag të ndeshjeve të Conference League. Ndërkohë, kuqeblutë po presin të mësojnë kundërshtarin që do të ndeshen në Conference League.(www.shkodrasport.com)