Nga Maringlen ZHIVANI
Ekipi i Burrelit ka zgjedhur trajnerin e ri. Burime të sigurta të “Shkodra Sport” bëjnë me dije se Samuel Nikaj do të jetë trajneri i matjanëve për sezonin e ri. Ditën e sotme, Nikaj ka qenë në shoqërinë e drejtorit të klubit Klevis Gjoka, si edhe zyrtarëve të tjerë të klubit matjan.
Po ashtu, mësohet se Nikaj do të fillojë punë zyrtarisht me datë 10-korrik me futbollistët, me të cilët do të luajë në Kategorinë e Parë. Burime zyrtare bëjnë me dije se pothuajse të gjithë futbollistët e Burrelit që kanë luajtur një sezon më parë me skuadrën janë treguar të gatshëm të qëndrojnë tek ky ekip sërish.
I vetmi futbollist që është larguar zyrtarisht është Florenc Farruku. Nga sa mësohet, pas emërimit të Nikajt në krye të Burrelit, drejtori Gjoka dhe administratori Lleshaj kanë nisur bisedimet me futbollistë të ndryshëm, të cilët mendohen t’i bashkohen skuadrës matjane.
Samuel Nikaj ka një përvojë të pasur në ngjitjen e ekipeve një Kategori më lart, teksa sukseset nuk i kanë munguar me skuadra si Flamurtari i Prishtinës, Vushtria, Kastrioti, Pogradeci dhe Prizreni së fundmi. Tashmë me afrimin e Samuel Nikajt në pankinë, Burreli në ditët në vijim pritet të shpallë edhe synimet që ka për sezonin e ri.(www.shkodrasport.com)