Shkodra është krenuar dhe krenohet si qyteti ku për herë të parë janë luajtur disa sporte në vendin tonë. Nëse krenohemi me këtë gjë, ajo që duhet të dimë, është se një ndër njerëzit më të veçantë të kësaj historie, është padyshim Palokë Nika.

Me emrin e tij janë të lidhura shumë ngjarje dhe episode historike, që fillojnë shumë herët, në shekullin e kaluar. Sportist, trajner, organizator, gjyqtar dhe gazetar. Të gjitha këto i ka bërë Palokë Nika. Ai ka lindur në Shkodër më 1892 dhe sporti do të shoqëronte gjithë jetën e tij, deri në moshën 69-vjeçare atëherë kur u nda nga jeta.

Palokë Nika ishte një atlet shqiptar i shekullit të 20-të, organizator i ngjarjeve sportive, futbollist, gjyqtar dhe gazetar sportiv. Aktivitetet e tij nismëtare në sport, e bënë atë një nga figurat më të shquara në organizimet sportive në Shqipëri. Ai është i njohur si një nga iniciatorët më të rëndësishëm të krijimit të KF Vllaznia Shkodër, por ai gjithashtu ndihmoi edhe në krijimin e KF Tirana, duke qenë trajneri i parë i klubit.

Në vitin kur Palokë Nika lindi, Shkodra ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Më pas, në vitin 1908 duke ndjekur mësimet në shkollën e mesme, ai ka luajtur futboll në një ekip në Piedmont në Itali. Më vonë, ndeshja e parë ndërkombëtare në Shqipëri ishte iniciativë e Palokë Nikës. Skuadra “Indipendenca” ishte formuar në Shkodër që në vitin 1912 dhe pikërisht Palokë Nika u bë kapiteni i këtij ekipi.

Kjo ndeshje kaloi përmasat e një takimi futbolli apo përmes korrespondentëve ushtarakë europianë që ishin prezent në takim, mori vlera ndërkombëtare, ku në gazetat e ndryshme të Europës, u përshkruan komentet teknike të kësaj ndeshje.

Përvoja që Paloka fitoi si futbollist dhe organizator, e shtyri atë në të tjera aventura, duke i dhënë emër të shpejtë shoqërisë së porsakrijuar “Vllaznia” më 1919. Në këtë vit, Nika ishte një nga themeluesit e KF Vllaznia Shkodër, në të cilën ai ishte edhe kapiten, edhe trajner.

Aktiviteti i Palokë Nikës do vazhdonte edhe jashtë Shkodrës. Përmes shumë peripecish dhe vështirësish, në vjeshtën e vitit 1921 përpara rinisë së Tiranës, ai demostron një ndeshje futbolli, të bazuar në rregulloret ndërkombëtare. Paloka organizoi ndeshje edhe jashtë Shqipërie, pikërisht në Çetinje të Malit të Zi. Udhëtimi për atje, u mundësua falë ndihmave, që kishte siguruar Palokë Nika nga populli shkodran.

Me formimin e shoqatës “Vllaznia”, Palokë Nika organizoi edhe të parën garë vrapimi në Shkodër, pikërisht më 13 qershor 1920, teksa morën pjesë 25-vetë për të fituar kurorën e garës 4200 metra. Këtë garë e ka fituar pikërisht Paloka.

Prezantimi shumë dinjitoz, që ai bëri në këtë garë duke e bërë atë edhe më tërheqëse, bëri që ai të fitonte rrespektin dhe admirimin e sportdashësve shkodranë, të cilët pas kësaj gare fillaun ta thërrasin “kapiten vrapi”. Më pas, do të vijë edhe momenti i zhvillimit të garës klasike të atletikës, të maratonës në Tiranë në vitin 1923, ku Paloka mundi të angazhojë 35-veta. Maratona ishte e gjatë 16 km. Poashtu, ai dha kontribut në pjesëmarrjen e shoqërisë “Studente Shkodra” në Olimpiadën e parë ndërkombëtare në Zeta të Çetinjës, ku shkodranët fituan vendin e parë dhe morën pesë medalje ari.

I përkushtuar në përhapjen e sporteve, Palokë Nika kërkon të shtojë gamën e tyre. Iniciativa dhe kultura që zotëronte, i ofroi atij detyra me rëndësi në rang kombëtar, si organizatori i sportit shqiptar, në qeverinë e Sulejman Delvinës në vitin 1920.

Kështu, në vitin 1925, në shtator, ai pasi ka organizuar me sukses garat e para çiklistike në Shqipëri, ato me itinerar Shkodër-Koplik dhe kthim, në maj 1920 dhe garën e parë kombëtare Tiranë-Shkodër, në gusht 1920, organizon edhe të parin Rreth Çiklistik në Shqipëri.

Palokë Nika me këtë që bëri, mbetet një personazh i madh i historisë së sportit shqiptar. Poashtu, duhet thënë se jehona e këtij rrethi çiklistik i kaloi kufinjtë e Shqipërisë. Paloka si kryegjyqtar mbajti mbi supe gjithë peshën e kësaj veprimtarie.

Kështu, përveç grupit të gjyqtarisë siç ishin Hysen Lohja dhe Sezai Borshi, ai kishte pranë edhe fotoreporterin e mirënjohur, Shan Pici, si edhe një infermier dhe një shofer. Rrethi i dytë do të zhvillohej 11-vjet më vonë, më konkretisht në 1936 dhe Palokë Nika është sërish aty si organizator.

Palokë Nika, përveç se sportist shumë i mirë, drejtues dhe organizator po aq i zoti, shquhet edhe si gazetar dhe publicist. Në vitin 1925-1926, për dy vjet me rradhë, ai nxjerr me shpenzimet e tij gazetën “Gazeta e Sportit”, përkrah bashkëqytetarit të tij, Musa Kopliku.

Më vonë, duke i kushtuar jetën sportit, ai la pas jetën e tij. Jo më kot, vitet e fundit të pleqërisë, Palokë Nika i ka kaluar në një shtëpi pleqsh në qytetin e tij të lindjes. Edhe pse njihej si një nga sportistët e parë të periudhës së formimit të shtetit shqiptar, edhe pse emri i tij kishte kaluar kufinjtë e Shqipërisë, pas vitit 1944, atij shumë pak iu lakua emri.

Madje, në momentin kur ai vdiq, pikërisht në vitin 1961 në moshën 69-vjeçare, në kronologjinë e vdekjes të botuar në gazetën “Sporti”, as që evidentohej ajo që Paloka kishte bërë për garat e para kombëtare dhe ndërkombëtare.

Megjithatë, ai ende edhe sot vlerësohet për atë se çfarë ka bërë. Jo më kot, para disa vitesh klubi Vllaznia dhe Bashkia Shkodër, i kanë akorduar çmimin e lartë sportiv “Palokë Nika”, sepse ai e meriton këtë, madje shumë më tepër sesa kaq.

“Shkodra Sport” do mundohet të rikujtojë sa më shumë figura të Vllaznisë ndër vite, në mënyrë që emri i tyre të lakohet dhe të mos harrohen për kontributin që kanë dhënë për këtë qytet dhe pikërisht Palokë Nika është një ndër ata që meriton të vlerësohet dhe të flitet për atë se çfarë ka bërë.
Maringlen ZHIVANI