Tripleta është ëndrra e të gjithë tifozëve, futbollistëve, trajnerëve dhe presidentëve të klubeve. Eshtë kurorëzimi perfekt i një sezoni që nuk harrohet kurrë.
Në dy dekadat e fundit, kujtojmë tripletat e skuadrave si Bayern, Inter dhe Barcelona. Gjë e rrallë, por jo e pamundur që të përsëritet këtë sezon pikërisht nga zikaltrit. Interi është në garë për të fituar kampionatin, kupën dhe Champions League. Pas fitores 0-2 me Feynoord, zikaltrit duken thuajse të kualifikuar për më tej në Champions League dhe situata duket jo larg perfektes.
Skuadra e trajnerit Inzaghi ka humbur vetëm një ndeshje këtë sezon të Champions League. Problemi i vetëm i zikaltërve është mungesa e një stoli cilësor, sidomos tani që skuadra po “plaket”.
Tri skuadrat spanjolle – Barcelona, Real Madrid dhe Atletico Madrid gjithashtu janë në garë për tripletën. Ato po luftojnë javë pas jave me diferenca fare të vogla për titullin kampion në La Liga, ndërkohë që janë në garë për Kupën e Mbretit dhe Champions League. Los Blancos janë më të avantazhuar, duke qenë se fituan 2-1 në derbin e parë madrilen të Champions League, por futbollit nuk i dihet.
Të tjerat – Paris Saint-Germain, Leverkusen dhe Liverpool janë gjithashtu në lojë për të realizuar sezonin perfekt. PSG ka 13 pikë diferencë në Ligue 1 krahasuar me vendin e dytë (Marseille), ndërkohë që në prill luan gjysmëfinalet e Kupës së Francës.
Leverkusen është e dyta në Bundesligë, tetë pikë pas Bayern, por vijon garën në Kupën e Gjermanisë dhe ëndërron të përmbysë disavantazhin 3-0 të ndeshjes së parë europiane me bavarezët. Liverpool, i pakapshëm në Premier League, është jashtë FA Cup, por është ende në lojë për Kupën e Ligës, ashtu si edhe në Champions League./telesport/