Luftëtari bllokohet sërish nga FIFA. “Panorama Sport” ka zbuluar ekskluzivisht vendimin e marrë më 29 prill 2020, ku saktësohet se klubit gjirokastrit i është ndaluar regjistrimi i lojtarëve për tri sesionet e ardhshme për shkak të mospagesës së mbrojtësit nga Uruguai, Bruno Toledo.

Ky i fundit ka fituar gjyqin në FIFA me bluzinjtë prej kohësh, por më 10 shkurt 2020 ka pasur një vendim të formës së prerë, ku Luftëtari detyrohej të shlyente lojtarin, në të kundërt do të merrej masë. Por, nuk ndodhi kështu dhe pasi u pritën 2 muaj që drejtuesit gjirokastritë të lëviznin konkretisht, FIFA nuk toleroi.

Ky është një detyrim i mbartur nga periudha kur president i Luftëtarit ishte Grigor Tavo. Mësohet se bëhet fjalë për një shumë prej 15 mijë dollarësh që klubi i detyrohet t’i paguajë lojtarit. FIFA saktëson se në momentin që kjo shumë shlyhet, atëherë klubit i hiqet dënimi për bllokimin e merkatos.

E njëjta gjë Luftëtarit i ndodhi edhe në janar me ish-futbollistin brazilian, Marko Aurelio, teksa pas arritjes së marrëveshjes, merkatoja iu zhbllokua vetëm në dy ditët e fundit (30 dhe 31 janar).

VENDIMI I PLOTË

“Drejtuar lojtarit Bruno Nikolas Toledo, Uruguai, dhe klubit Luftëtari, Shqipëri.

Të nderuar zotërinj, ne i referohemi çështjes së lartpërmendur dhe, veçanërisht, vendimit të miratuar nga Dhoma e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve më 5 dhjetor 2019, arsyet e së cilës u janë njoftuar palëve në 10 shkurt 2020.

Në këtë drejtim, ne kemi marrë shënimin e letërkëmbimit të datës 10 mars 2020, me anë të të cilit lojtari Bruno Toledo ka njoftuar klubin e Luftëtarit dhe i ka nisur numrin e llogarinë bankare përkatëse në mënyrë që klubi të vazhdojë me pagesa, në përputhje me vendimin e sipërpërmendur. Një kopje e letërkëmbimit në fjalë është bashkangjitur për KS Luftëtari.

Sipas vendimit të miratuar nga Dhoma e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve më 5 dhjetor 2019, Luftëtarit iu kërkua të na sigurojë prova dokumentare që tregojnë se ai e ka përmbushur detyrimin e tij në përputhje me pikat 11.2. dhe III.3. të vendimit të lartpërmendur.

Në këtë drejtim, kemi vërejtur se asnjë dokumentacion i tillë nuk është paraqitur nga KS Luftëtari dhe për pasojë e njoftojmë me mirësi klubin për ndalimin e federimeve të lojtarëve të rinj, si vendës dhe të huaj, për kohëzgjatjen maksimale të tri sesioneve të njëpasnjëshme, siç përcaktohet në pikën I.7. Vendimi i lartpërmendur do të hyjë në fuqi që nga fillimi i periudhës tjetër të regjistrimit të lojtarëve.