Sektori i Arbitrimit në FSHF në bashkëpunim me FIFA-n po organizon një seminar treditor posaçërisht për sistemin VAR me arbitrat dhe asistentët e kampionatit “Abissnet Superiore” para nisjes se sezonit të ri futbollistik në Shqipëri. Seminari do të zgjasë për tre ditë dhe përveç pjesës teorike arbitrat e “Abisnet Superiore” do të ushtrohen edhe në praktikë me simulatorin e VAR-it për të përmirësuar sa më shumë vendimmarrjen dhe komunikimin e të gjithë ekipit të arbitrave që marrin pjesë në një ndeshje futbolli dhe sallën e VAR-it. I pranishëm në këtë seminar ka qenë edhe instruktori i FIFA-s për sistemin VAR, Maciej Wierzborski, ish-arbitër i njohur ndërkombëtar, i cili ka diskutuar me arbitrat shqiptarë për situata të ndryshme gjatë një ndeshjeje dhe se si mund të përmirësohen ndërhyrjet e sistemit VAR dhe komunikimi mes arbitrave në futboll.

Duke folur për Fshf.org gjatë seminarit, Wierzborski shpjegon se çfarë ku konsiston trajnimi që po bëhet me arbitrat shqiptarë dhe analizimi i situatave të ndryshme të lojës përmes pamjeve video.

“Jam ftuar nga FSHF për të marrë pjesë në trajnimin e FIFA-s për sistemin VAR. Ky trajnim zgjat për tre ditë dhe gjatë këtyre ditëve ne do të diskutojmë rreth filozofisë së VAR-it, si funksionon, si duhet kuptuar më mirë nga arbitrat, asistentët, arbitrat e VAR-it, AVAR-it si edhe nga operatorët teknikë. Kështu që ne kemi të gjithë grupin që formon një skuadër të vetme gjatë një ndeshjeje.

Sot ne po diskutojmë disa situata të ndryshme loje, kur duhet ndërhyrë ose jo, si duhet bërë komunikimi dhe nesër ne do të kemi praktikë me simulatorin e VAR-it ku pjesëmarrësit do të ushtrohen si arbitra të VAR-it dhe AVAR-it me situata të ndryshme loje dhe ata do të trajnohen se si të komunikojnë, si të analizojnë një situatë konkrete”, – thotë Maciej Wierzborski, duke theksuar se synimi kryesor që kanë arbitrat është saktësia në vendime, por edhe reduktimi i minutazhit për marrjen e vendimeve pas ndërhyrjes së sistemit VAR.

“Sigurisht një nga synimet do të jetë reduktimi i kohës që merr një arbitër për t’u konsultuar me VAR-in, por duhet të kemi parasysh se qëllimi kryesor është të japim vendimin më të saktë. Saktësia është e para, por sigurisht ne duhet të mendojmë edhe se mund të reduktojmë kohën e ndërhyrjes së VAR-it.

Objektivat e këtij seminari janë përmirësimi i standardit të komunikimit, të kemi qëndrueshmëri në përdorimin e kritereve për të analizuar situatat, por ne duam gjithashtu të praktikojmë vendimet, detyrat e tyre dhe komunikimin brenda skuadrës së VAR-it dhe VAR-i me arbitrin në fushën e lojës, – nënvizon Wierzborski.