U përfol se ishte shumë pranë firmës me ekipin e Ballkanit në Kosovë, por gjërat kanë ndryshuar në orët e fundit dhe futbollisti kukësian ka vendosur të qëndrojë sërish në kampionatin shqiptar, por tek një skuadër tjetër.

Kështu mësohet se Dinamo fiton garën me Ballkanin për mesfushorin Fjoart Jonuzi, i cili pak ditë më parë prishi kontratën me Tiranën, duke e bërë atë tashmë pjesë të saj për vazhdimin e këtij kampionati dhe jo vetëm.

Mediat bëjnë të ditur se lojtari kukësian ka firmosur me klubin blu për 2.5 vite dhe pritet që të dalë sot në stërvitje. Kësisoj, trajneri Ilir Daja plotëson repartin e mesfushës, duke afruar lojtarin që dëshironte. Jonuzi ishte pranë firmës me Ballkanin e Orges Shehit, por në momentet e fundit blutë e kryeqytetit e kanë bindur dhe tashmë ai mund të quhet i Dinamos.

Për Jonuzin kjo do të jetë eksperienca e tij e pestë në kampionatin shqiptar pas atyre me Kukësin, Laçin, Vllazninë dhe Tiranën, por duhet thënë se kulmin e tij e pati në Shkodër me kuqeblutë ku u shndërrua në një nga mesfushorët më të mirë të kampionatit.