Të enjten e 26 qershorit, Këshilli Bashkiak i Vlorës do të mblidhet për të diskutuar dhe miratuar shtyrjen e kontratës së administrimit të Flamurtarit nga kompanitë turke “TRK GROUP dhe ATLAS Global”, që përfaqësohen nga Sinan Idrizi.

Pesë këshilltarët bashkiakë, Brikena Sika, Grigor Dede, Edison Kapaj, Bujar Osmani dhe Lorel Canaj, i kanë propozuar administratës së Bashkisë së Vlorës dhe Këshillit Bashkiak projektvendimin në fjalë, që vjen pas kërkesës të bërë në datë 9 qershor të këtij viti, të përfaqësuesit të Shoqërisë “Flamurtari Football Club Sh.a”.

Kontrata e fundit me bashkinë e kompanive turke që skadon në korrik, u shty me një vit, por kërkesa e re e Idrizit është që kontrata që do të miratohet të enjten nga këshilli, të jetë pa afat deri në privatizimin e klubit. Dy kontratat e fundit u shtyn me 2 dhe 1 vit, por kjo e radhës kërkohet të mos ketë përcaktim afati, për shkak edhe të investimeve madhore që Idrizi ka parashikuar të bëjë në klub, tashmë që Flamurtari u rikthye në Superiore. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht projektvendimin që do t’i paraqitet këshillit bashkiak.

“Këshillit i propozohet që të miratojë shtyrjen e afatit të kontratës së financimit dhe administrimit të shoqërisë ‘Flamurtari Football Club Sh.a’, të lidhur midis Bashkisë Vlorë dhe Shoqërive ‘TRK GROUP dhe ATLAS Global’, deri në përfundim të procesit të privatizimit. Pavarësisht përcaktimit në pikën 1, efektet e kontratës së financimit dhe administrimit të shoqërisë “Flamurtari Football Club Sh.a”, përfundojnë me shitjen e aksioneve të kësaj shoqërie, aktualisht në pronësi të Bashkisë Vlorë”, thuhet në material.

SHITJA E AKSIONEVE – Pesë këshilltarët bashkiakë, propozues të këtij projektvendimi për shtyrjen e administrimit të Flamurtarit, kërkojnë gjithashtu nga Bashkia e Vlorës të kryejë procedurat për shitjen e aksioneve, si dhe të përcaktojë statusin juridik të ekipit. “Administrata e bashkisë të kryejë procedurat për shitjen e aksioneve të shoqërisë “Flamurtari Football Club Sh.a” në pronësi të saj, si dhe për përcaktimin e Statutit Juridik të Ekipit të Futbollit “Flamurtari”, nënvizohet në shkresën zyrtare.

KËSHILLI MBIKËQYRËS – Këshilltarët hartues të këtij materiali përkojnë me atë që Këshilli Bashkiak i Vlorës të miratojë edhe emrat e anëtarëve të këshillit mbikëqyrës. “Të miratohen emrat e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, si më poshtë vijon: Sinan Idrizi, Kreshnik Çipi, Robert Islamaj dhe Endri Hyseni. Ky i fundit, përfaqësues nga Këshilli Bashkiak. Kohëzgjatja e mandatit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, është 1 vit”, thuhet në projektvendimin propozues.