Klajdi Kola, ish-gjyqtari i Superiores, ka qenë vëzhguesi i caktuar nga FSHF për ndeshjen mes Vllaznisë dhe Dinamos në “Final Four”. Kola ka analizuar pas sfidës vendimet e gjyqtarit Eldorjan Hamiti, duke shpjeguar gabimet që ka bërë ai, por edhe momentet e diskutueshme ku blutë pretendojnë për dy penallti të mohuara.

“Momenti i parë është kur ka vërshëllyer 11 metërsh në favor të Dinamos. Ndoshta pozicioni i tij ka bërë që të gabojë dukshëm në këtë rast se topi nuk është prekur me dorën e djathtë nga mbrojtësi i Vllaznisë por është prekur me dorën e majtë. Menjëherë gabim i qartë dhe i dukshëm i arbitrit në fushë, është thirrur nga teknologjia dhe nuk ka hezituar fare, vetëm një moment e ka parë këtë rast dhe ka ndryshuar vendim. Arbitri në fushë nuk duhej të vërshëllente 11-metërsh. Këto janë ndeshje finale dhe nuk duhen gabuar.

Për të vijuar te momenti i dytë kur pas një krosimi kemi një prekje të topit me dorë nga mbrojtësi i Dinamos. Këtu është futbollisti mbrojtës i cili nga pozicioni fillestar, bën një lëvizje duke e hapur krahun në drejtim të topit, dora është larg trupit dhe prekja me dorë është evidente. Penallti e saktë.

Penalltia tjetër? Ky ishte një rast shumë i diskutueshëm, arbitri e ka pozicionin mirë., vendos të lejojë lojën, por dukshëm këtu futbollisti, me këto pamje, ka hapur krahun dhe ka zmadhuar volumin. Prekje e qartë dhe e dukshme e topit me dorë, penallti e saktë pas rishikimit me VAR. Për gjyqtarin është penallti e munguar.

Vendimi më i diskutueshëm i gjithë ndeshjes që ka sjellë acarimin në stadium dhe gjithandej, ka qenë pretendimi i skuadrës së Dinamos në fundin e pjesës së parë për një 11 metërsh. Fillimisht duket sikur topi preket me dorë, edhe mua më ka dhënë iluzionin e prekjes së topit me dorë, por po ta shikoni me vëmendje është futbollisti mbrojtës i cili devijon topin qartë me kokë. Pra nuk ka fare prekje me dorë, është futbollisti i dytë, jo ai që tenton, numri 29, dhe këtu duket që koka devijon topin. Por iluzionin ta jep sikur është prekje e topit me dorë dhe penallti, duket sistemi VAR e ka kontrolluar dhe duket qartë që topi është prekur me kokë nga lojtari i Vllaznisë. Nga lëvizja e krahut të jep iluzioni. Unë derisa e pashe me ekran të madh… E pashë në stadium në celular dhe dukej 100% penalti, por pastaj e pashë në ekran të madh dhe dukej qartë që futbollisti e ke devijuar me kokë. Por ka edhe një detaj tjetër, nëse themi që e ka prekur me kokë e pastaj te dora, nuk kemi të bëjmë përsëri me 11-metërsh. Nuk dukej, ndaj ishin të gjithë të acaruar në stadium.

Është rasti me Zabërgjën në pjesën e dytë, kemi diskutim për 11-metërsh. Edhe nëse kemi faull, faulli është jashtë zone, është kontrolluar edhe me sistemin VAR me informacionet që unë kam. Por këtu, kemi të bëjmë me jashtë dhe VAR nuk ndërhyn. Kemi faull të munguar nga ana e arbitrit, nuk ka ndërhyre VAR se faulli ishte jashtë zone.

Në momenti që Dinamo shënoi gol, në fushë kanë qenë dy topa por për ta shpjeguar rregulloren, e ka të shkruar qartë aty që nëse nuk është në rrjedhën e aksionit dhe nuk ka ndikuar, ka të bëjë me gol ose vazhdim loje nga ana teknike. Topi ka qenë që në fillim aty, gjatë aksionit, mbrojtësit janë të përqendruar totalisht të sulmuesi që shënon dhe nuk shkojnë fare te topi tjetër. Ndaj gjykoj që nuk ndikon, është i rregullt. E ka parë dhe ka lejuar lojën. Janë raste të rralla që ndodhin por gjykoj që ka bërë mirë që ka lejuar golin për këto faktorë që thashë”, tha Kola për “Rubrika Sportive”.