Trajneri i Barçës, Hansi Flick, vlerësoi fitoren 5-0 ndaj Young Boys në xhiron e dytë të Champions League. Një rezultat që e qetëson skuadrën katalanase edhe në Europë, pas disfatës në debutimin ndaj Monaco (2-1). “Askush nuk e di se si do të funksionojë kjo Ligë e Kampionëve, por është gjithmonë mirë të kesh një golavarazh të mirë. Ne mundëm të fitonim me një avantazh të madh, pas humbjes në ndeshjen e parë”, – komentoi trajneri gjerman.
Vetëkritik, Flick tregoi se nuk është i kënaqur: “E kemi filluar mirë ndeshjen, por jo aq sa doja. Duhet ta fillojmë më fort, të jemi më të mirë me pasimet dhe të përmirësojmë dinamikën e lojës, duke luajtur së bashku. Sidoqoftë, ishte një sprovë e rëndësishme për të marrë tri pikët dhe jemi të kënaqur. Të bashkuar si tani mund të bëjmë gjëra të mëdha”.
Çuditërisht, ai ishte autokritik edhe pse fitoi 5-0: “Mund të kishim kursyer disa përpjekje, por kjo është mënyra jonë e lojës. Pastaj do të vijnë rivalë më të fuqishëm, ndaj duhet të vazhdojmë të përmirësohemi”.
I pyetur për paraqitjen e mirë të Raphinha, MVP i zgjedhur i ndeshjes, trajneri gjerman tha: “Ai luajti shumë mirë, por nuk mund të flasim vetëm për një lojtar. Duhet të flasim për të gjithë ekipin, nuk mund të luhet mirë nëse nuk ka angazhim maksimal nga të gjithë lojtarët”.
Lidhur me minutat e Ansu Fatit, i cili e nisi si mesfushor-sulmues për Pedri dhe përfundoi si sulmues, Flick argumentoi: “Donim t’i jepnim pushim Pedrit, por nuk ishim të sigurt për ta futur Frenkie kaq shpejt. Kësisoji, aktivizuam Ansu atje në fillim”.
Për holandezin e rikthyer në fushë pas 163 ditësh dëmtim, trajneri nënvizoi: “Për Frenkie de Jong ky rikthim ishte një hap themelor. I duhet pak kohë, por vrapoi dhe e shoh duke bërë mirë. E njëjta gjë për Ansu, kemi synimin për ta rikthyer atë në nivelin më të mirë”.
Për Lamine Yamal, disi i mërzitur nga zëvendësimi, Flick u justifikua: “Edhe Robert gjithashtu donte të luante më shumë, por sot mund të bëheshin më lehtë zëvendësime”./telesport/